Pfizer: Vaksina kundër “Omicron” do të jetë gati në Mars

0
109

Shefi ekzekutiv i kompanisë Pfizer, Albert Bourla, ka bërë të ditur se vaksina e re do të jetë gati për të marrë miratimin e autoriteteve shëndetësore në muajin Mars. Mediat e huaja raportojnë se Pfizer po zhvillon një vaksinë me kompaninë BioNTech, për të kombinuar vaksinën aktuale kundër koronavirusit me një formulë tjetër që do të shënjestrojë variantin Omicron.

Bourla tha se vaksina do të synojë gjithashtu variantet e tjera që qarkullojnë. Ai tha se ende nuk është e qartë nëse nevojitet apo jo një vaksinë Omicron ose si do të përdoret, por Pfizer do të ketë disa doza gati pasi disa vende e duan atë gati sa më shpejt të jetë e mundur.

Qeveritë e shumë vendeve janë duke inkurajuar qytetarët e tyre që të imunizohen dhe në disa raste edhe të marrin doza përforcuese. Dozat e treta të vaksinave janë të rëndësishme për shkak të varianteve të reja të koronavirusit dhe zvogëlimit të efektit të vaksinave pas një kohe. Megjithatë, thirrjet për marrje të dozave përforcuese në mënyrë të vazhdueshme, mund të kthehen në mision të vështirë, pasi ende ka persona që nuk kanë marrë ende dozat e para.