Nga Hyqmet ZANE
Ngjarjet me akte terroriste që po ndodhin herë pas here në vende të Europës dhe shqetësimi që ka krijuar në kancelaritë e kontinentit të vjetër, me të vërtetë janë një situatë që meriton jo vetëm angazhimin e institucioneve ndërkombëtare, por e dhe një ndërgjegjësim të europiane se akte të tilla me elementë terroristë, në çdo kohë janë të dënueshme.
Them kështu sepse historia e Europës ekskluzivisht ka përjetuar në kohë të ndryshme masakra të tipit terrorist, genocidist, shfarosës, bile shumë e shumë herë më të rënda dhe me mijëra viktima që janë shënuar në sinoptikën e kriminalizimit të shoqërisë, veçanërisht në Ballkan, veçanërisht ndaj shqiptarëve.
Shkuan edhe 73 vite nga ajo mënxyrë e harbuar e hordhive greke mbi popullsinë e pafajshme shqiptare të Çamërisë. Janë 73 vite që rënkojnë nga vuajtjet e një popullate që u vra dhe u masakrua, që u përndoq dhe u ther me thika, janë 73 vite për të cilat Europa demokratike dhe e qytetëruar (nëse është e tillë) ka heshtur. Përse?! Çka ndodhur?! Asgjë them unë, por më shumë se gjithçka është hija e padrejtësisë europiane në mbështetje të Greqisë për të realizuar “zgjidhjen përfundimtare”, ashtu siç vepruan nazistët ndaj hebrejve. A kanë ngjasim ato kriminalizime me këto të sotmet? Po që po, kanë dhe shumë bile. Atëherë si shpjegohet që për një numër të vrarësh dhe të plagosurish ka një shqetësim botëror dhe, kur vjen fjala për Çamërinë, heshtet, nuk është në fokusin e atyre që mendojnë për drejtësinë europiane? E njëjta Europë është, me të njejtët shtete, veçse me një ndryshim, është Europa pas 73 vitesh të Luftës II Botërore dhe pas një masakre që shtete europiane, si Anglia e ndihmuan banditizmin e Napoleon Zervës me bekimin e priftërinjve të Patriarkanës së Athinës dhe me lejen e qarqeve shoviniste që kanë mbetur në hije dhe si të gatshme për të manipuluar gjithçka dhe për tu shqetësuar vetëm kur kriminalizimi u troket tek dera.
Historia europiane flet më fakte dhe këto që po ndodhin sot me emrin “terrorizëm” kanë qenë modele të huazuara nga terrorizmi nazifashist që u bë masakrues për hebrejtë me miliona dhe në përfundim të asaj lufte botërore, u bë masakruese edhe për shqiptarët e Çamërisë. Hebrejtë ia dolën mbanë dhe u kthyen në vendin e tyre, ndërsa bijtë e Çamërisë kanë 73 vjet pa dëgjuar një herë fjalën falje dhe pranim të një genocidi të një lloji të veçantë.
HistorianiHajredin Isufi, ka publikuar dëshmi nga dokumentet arkivore lidhur me qëndresën çame për të mos lënë trojet nga dhuna shtetërore greke, reprezaljet në Çamëri. Dokumentet arkivore i përkasin viteve 1945-1947.
Në kalvarin biblik të shpërnguljes së dhunshme të popullsisë çame, mohimi i të drejtës së ligjshme për rikthim në trojet autoktone (njohja e pasurisë) vazhdon të mbetet edhe sot pas më shumë se shtatë dekadash, një problem tepër i mprehtë.
Genocidi ndaj popullsisë së pambrojtur çame nëpërmjet shpërnguljes së dhunshme nga trojet e tyre, sipas dokumenteve zyrtare të kohës, solli reagimin e qarqeve përparimtare europiane, personaliteteve të kohës, si dhe të Lidhjes së Kombeve. E kemi fjalën gjithnjë në kohën e pas Luftës II Botërore, se më pas gjithçka mbeti në arkivin e turpit të Europës që bërtet kur i trokasin terroristët tek dera dhe harron se e drejta ndërkombëtare dhe ajo europiane vlerësohen si të tilla kur ajo është e tillë në çdo kohë dhe për çdo popull.
Në kulmin e genocidit grek ndaj popullsisë së Çamërisë, Lidhja e Kombeve dhe Roma i bënë presion qeverisë greke, duke i kërkuar asaj:
– Të ndërpriste menjëherë dëbimin me dhunë të çamëve.
– Të hapeshin shkolla shqipe në Çamëri.
– Shqiptarëve t’u ktheheshin pronat që ua kishin zaptuar refugjatët grekë.
– Të respektoheshin të drejtat e muslimanëve.
Siç dihet, këto kërkesa të Lidhjes së Kombeve (sot OKB) ranë në vesh të shurdhër, pasi pala greke nuk ndali dhunën dhe genocidin ndaj popullsisë së Çamërisë. Një pjesë e madhe e popullsisë së Çamërisë u vra nga nazistët grekë, shumë u internuan në kampet e përqendrimit dhe të shfarosjes në masë, ku ishte edhe im atë Nuri Emin Zane ashtu si edhe Osman Zenel Taka, Hajri Hasan Fetahu, Mezan Emin Jonuzi, Bejaz Muhamet Muho etj., ndërsa pjesa e mbetur u shpërngul drejt Shqipërisë.
Për çudi edhe ata që ishin antifashistë, pas internimit nuk u lejuan të ktheheshin në shtëpitë e tyre, as ata që luftuan me formacionet antifashiste greke, nuk u lejuan të ktheheshin në vendet e tyre. Drama vazhdon, pasi të mbijetuarit e genocidit nuk lejohen të kthehen në trojet e tyre në Çamëri as për të vizituar varret e prindërve, motrave e vëllezërve të tyre të vrarë gjatë genocidit grek.
Por, tani është koha, kur organizatat ndërkombëtare të rikthejnë në axhendën e tyre Çështjen e Çamërisë. Brukseli e ka tashmë pjesë të agjendës Çështjen e Çamërisë pasi i ka kërkuar palës greke të pranojë bisedimet për ta trajtuar e zgjidhur tragjedinë e Çamërisë bazuar në konventat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Përse ndodh kështu kur ka një rezolutë për Çamërinë në Parlamentin Shqiptar dhe kur ndërkombëtarizimi i çështjes çame ka mbërritur në portat e kësaj kancelarie europiane dhe ata heshtin. Heshtin sepse duan të heshtin apo sepse janë dashnorët e Greqisë apo sepse ka institucionalizuar padrejtësinë dhe shqetësohet vetëm për terrorizmin në portën e saj dhe nuk do të dijë për terrorizmin grek mbi Çamërinë apo atë serb mbi Kosovën.
Sipas studimeve të Prof. Dr. Sami Rrepishti, sot në SHBA, “Si shqiptar, shoqërimi i idesë së dëbimit me dhunë dhe persekutimit të çamëve në Greqi dhe nga autoritetet greke që nga viti 1912, dhe sidomos aksioni i çetave, dhe ushtarëve grekë kundër shqiptarëve çamë në vitet 1913-1916 e 1918-1925, dhe masakrat e forcave të së djathtës dhe të gjeneralit grek N. Zervas të viteve 1940-1945, me idenë e paktit gjermano-çek, dënimit të aktit nga fajtori dhe përpjekjes për të riparuar sa më shumë që të jetë e mundur padrejtësinë e kryer me qëllim që të hapet një kapitull i ri në marrëdhëniet në mes të dy vendeve fqinje, është i paevitueshëm.
Pakti i ri tregon rrugën e bërë nga dy vendet perëndimore drejt bashkimit në një Europë të lirë, demokratike, dhe të qytetëruar, dhe nxjerr në shesh egërsinë e mentalitetit ballkanik që shfaqet hapur në qëndrimin zyrtar reaksionar të të gjitha qeverive greke të mbas Luftës së Dytë Botërore. Ndërkaq, viktimat çame vuajnë ende efektet e një padrejtësie të zbatuar me një brutalitet ekstrem, një qëndrim që Presidenti çek, V. Havel, e ka përcaktuar si “primitivizëm” dhe “tribalizëm”, dy terma që të kujtojnë Mesjetën dhe obskurantizmin.
Pak kohë para firmosjes së Paktit, Presidenti Havel, duke folur “për spastrimin etnik” në Bosnjë dhe “të këtilla akte barbare”, tha:”Atë që (aktorët) duan të thonë është: “Kemi folur mjaft për Auschvitz. Koha e demokracisë europiane ka kaluar; ajo që duhet të shikojmë për të ardhmen është utopia e shtetit të pastër etnik.” Ky mesazh është mesazhi më i tmerrshëm që kam dëgjuar në jetën time, më i tmerrshëm edhe se komunizmi”. Ka një sentencë të thënë nga i madhi Gjergj Fishta, “Edhe pavarësia e Greqisë asht një lule e rritun me gjak shqiptari”, pale mandej që shteti grek ka në shpirt terrorizmin antishqiptar që ia “ushqen” Europa me heshtjen e saj.
/sot.com.al/