Deputetët Edi Paloka dhe Gazment Bardhi dy të mandatuarit e Sali Berishës dhe Enkelejd Alibeajt do të ulen sot përballë njëri-tjetrit për të diskutuar mbi mundësinë e bashkimit në zgjedhjet vendore. Kreu i PD, Sali Berisha mblodhi të hënën në selinë blu drejtuesit politik të qarqeve për të diskutuar mbi aksionin politik të opozitës por edhe nisjen e procesit të primareve. Në radhët e Berishës ka optimizëm se bashkimi mund të ndodhë.
Por paralelisht me takimin e Berishës, në Kuvendin e Shqipërisë, Enkelejd Alibeaj thirri deputetë të tij të grupit parlamentar. Në takimin me dyer të mbyllura, Gazment Bardhi sqaroi para deputetëve komunikimin me Edi Palokën, ku ndryshe nga optimizmi në radhët e deputetëve të Berishës u shpreh skeptik.
Përballë vendosjes në pozitat e faktit të kryer, deputetët Agron Gjekmarkaj dhe Flutura Açka i kërkuan kolegëve të tyre në grupin Alibeaj të nis puna për zhvillimin e takimeve dhe evidentimin e kandidatëve potencial për të dalë me emra të veçantë nëse negociatat do të dështojnë. Një skenar i tillë do ta çonte Partinë Demokratike dhe opozitën në pozitat e 6 marsit, ku dolën me 2 kandidatë dhe rezultuan humbës në 5 nga 6 bashkitë ku u garua.