Nga Fitim Zekthi
Politikanët, për shkak të nevojës së madhe për pushtet, për mbështetje, për të mbijetuar, për të garantuar sundimin etj., përpiqen vazhdimisht të kthejnë gjithçka, apo të përdorin gjithçka, në një mjet që i ndihmon për të përmbushur këtë nevojë. Megjithatë, ka disa gjëra, ato që kanë të bëjnë me jetët private, me intimen, me të shenjtën etj., të cilat bota dhe shoqëritë janë përpjekur të mos i lejojnë të kthehen në mjete të përdorimit politik. Politikanët, edhe të këqijtë, janë kujdesur gjithnjë që e shenjta, privatja, intimja, të mos jetë objekt përdorimi brutal prej tyre.
Politikanët më të këqij janë ata që nuk kanë asnjë limit në përdorimin e privates, që jo vetëm e nxjerrin në publik gjithçka private, jo vetëm e përdorin gjerësisht, por edhe e promovojnë atë si kulturë. Politikanët më të këqij janë ata që intimen, jo vetëm e bëjnë publike, por përdorin për politikë dhe madje duan që gjithë shoqëria të ndjekë këtë model. Por më të këqijë e politikanëve gjatë gjithë historisë së njerëzimit kanë qenë ata që përdhosin të shenjtën, e desakralizojnë atë, në mënyrë që të përfitojnë politikisht dhe t’i bëjnë ndjekësit e kësaj të shenjte të besojnë se desakralizuesi po i respekton dhe i do, në një kohë që po bën të kundërtën. Në fakt, pa këtë lloj desakralizimi do të ishte shumë e vështirë që të përdoreshin politikisht, të shfrytëzoheshin dhe, së fundi, të sundoheshin.
Pikërisht këtë gjë bëri kryeministri Rama me iftarin që shtroi në “Natën e Kadrit”. Këtë gjë në mënyra të ngjashme e ka bërë edhe vjet, edhe vitet e kaluara. Kryeministri e përdori fjalën e tij për të ftuarit për të dhënën mesazhe politike për opozitën dhe për zhvillimet politike të ditës. Kryeministri u përpoq të hyjë në terma apo në diskursin e islamit, duke marrë rolin e një myftiu apo predikuesi mysliman për t’i dhënë këto mesazhe apo për të sulmuar opozitën.
Rama e nisi duke folur për mrekullinë e Ezanit që lajmëronte nisjen e Natës së Kadrit, që bartte me vete simbolikën e myslimanit të parë që thirri Ezanin i çliruar nga skllavëria prej një prej myslimanëve më të ditur dhe më të përkushtuar të historisë, Ebu Bekrit. Kjo ishte një nisje shumë e mirë për hir të së vërtetës, një nisje me të cilën hoxhallarët mund të nisin hutbet apo predikimet fetare në xhami, një nisje që bëhet, është bërë dhe do të bëhet nga besimtarët apo mësusest e islamit gjithnjë, por e pakuptueshme si nisje për një kryeminstër. Megjithatë, një nisje e mirë është një nisje e mirë. Më pas kryeministri kaloi te politika, por duke ruajtur gjuhën dhe termat e islamit, duke marrë dhe duke përdorur atë që do nga islami në funksion të qëllimit të tij. Kjo, në fakt, nuk është më islame. Kjo është, në fakt, kundërislame.
Kryeministri tha: “…Po më pas kur ezani hesht çfarë bëhet me poteren? Ç’bëhet me flakadanët? Po për besimtarët kush mendon me respekt?… A thua se ku shkon lutja shkon edhe shembulli dhe mbetet ndasia dhe vazhdon jeta sikur asgjë të mos kishte ndodhur! Megjithatë në sofrën e iftarit ka vend për të gjithë, edhe për hipokritët, për të cilët i shenjti Kuran dëshmon që janë kureshtarë. Sa keq, – thotë Libri i Shenjtë, – sa herë që robi bëhet kryeneç, sapo i duket që i ka të ngrohura shpatullat dhe se mund të mjaftohet e të vetëmjaftohet në përdhunën e tij, për të përligjur forcën, hipokritët përpiqen t’i afrohen forcës që mbart shembulli, ta shpërdorojnë e ta transformojnë”.
Pra, qartësisht, kryeministri vuri në thep të fjalës së tij opozitën. Ai nënkuptoi se opozita bën potere, se ajo është hipokrite, se ka flakadanë, se hipokritët kanë vend në sofrën e iftarit, se hipokritët për të përligjur forcën përpiqen t’i afrohen forcës që bart shembulli, ta shpërdorojnë etj. Edhe më pas i gjithë fjalimi ishte, pak a shumë, në këto terma.
Së pari, duhet thënë pa mëdyshje se gjithë fjala kishte në fokus opozitën dhe zhvillimet politike të ditës. Ndonëse nuk e përmendi me emër opozitën, kjo ishte e qartë. Po të donte të mbante një fjalë tjetër kryeministri mund ta mbante.
Ka një problem të parë të rëndë e gjithë kjo sjellje e politikës dhe veçanërisht e kryeministrit me besimtarët, sidomos ata myslimanë. Shumica e besimtarëve e lexojnë këtë që bën kryeministri dhe ndjehen të fyer dhe të lënduar. Ata veç kësaj nisin dhe gjykojnë edhe ata hoxhallarë apo drejtues të Komunitetit Mysliman që gjenden në këto iftare në të cilat përdoret kjo gjuhë desakralizuese për islamin dhe kjo gjuhë sulmi me terma fetarë ndaj opozitës. Kryeministri e di për fyerjen që ndjejnë shumë myslimanë, kryeministri e di edhe për ndasitë apo sherrin që krijon kjo gjë mes myslimanëve dhe disa drejtuesve apo hoxhallarëve, dhe e bën me vetëdije dhe me qetësi, sepse synimi i tij është përdorimi politik dhe desakralizimi. Përçarja apo sherrnaja ndihmon. Në fakt, myslimanët duhet që t’i mirëkuptojnë plotësisht të gjithë drejtuesit fetarë, duhet të mos ndezin asnëj thërrmijë qejmbetje apo mërzi me drejtuesit fetarë apo me hoxhallarët, sepse ata, në fund të fundit, i janë përgjigjur një ftese, respektojnë kryeministrin dhe nuk janë aty për të miratuar atë që ai thotë.
Gjuha e kryeministrit ndonëse e veshur me terma të islamit nuk merr parasysh asfare se çfarë është islami dhe muaji i Ramazanit për besimtarët myslimanë.
Muaji i Ramazanit është një muaj çlirimi, një mundësi për të përdorur arsyen dhe vullnetin për të tejkaluar kufijtë e botës tokësore (dynjasë) dhe për të arritur një nivel vetëdijeje më të lartë. Agjërimi në këtë muaj është një përgjigje ndaj thirrjes hyjnore për të hequr dorë nga gjërat e vogla për Të në mënyrë që Ai të na japë ne diçka më të vlefshme.
Ramazani është një muaj kthimi te vetja, te familja dhe te shoqëria. Ramazani është një muaj vlerësimi dhe meditimi për jetën, është një muaj ku çdo besimtar mendon thellë për kuptimin e jetës, për qëllimet dhe përparësitë që ai ka.
Qëllimi bazë është përmirësimi dhe pastrimi i vetes, trupit, shpirtit, zemrës përmes agjërimit, lutjeve dhe akteve të tjera që tregojnë përkushtim ndaj mësimeve të Zotit. Shkurt, Ramazani është një muaj kërkimi për kuptimin e jetës, një muaj ku vetëkufizimi dominon dëshirat sipërfaqësore, iluzionet dhe orekset artificiale. Është një kohë ku hahet më pak, ku meditohet dhe ku jepet më shumë.
Jo këtë vit por gjithnjë, Kryeministri Rama as që e ka pasur ndonjëherë idenë se çfarë është muaji i Ramazanit. Për Kryeministrin Rama, ai është një instrument për t’u shfaqur para publikut si njeri që respekton fenë dhe që përkujdeset në mënyrë që të përfitojë politikisht.
Duhet thënë se në shumë vende të botës, dhe në Shqipëri, politikanët marrin pjesë në iftare ose shtrojnë iftare. Kjo bëhet që politikani apo qeveritari, kur është ateist ose i një besimi tjetër, të tregojë respekt për ata që besojnë dhe për besimin e tyre dhe të tregojë se përpara tij dhe qeverisë të gjithë qytetarët janë njëlloj të respektuar. Në rastin kur politikani është besimtar, ai merr pjesë në aktin e adhurimit, e jeton edhe vetë agjërimin ose çfarëdo qoftë, por nuk harron të tregojë se besimi që ai ka, nuk e pengon të respektojë njëlloj të gjithë besimet e tjera.
Politikani përpiqet të shmangë çdo fjalë apo detaj që ia zhveshin shenjtërinë festës, në rastin tonë muajit të Ramazanit. Politikani është i përunjur, flet pak, nuk përdor tekstin fetar apo terminologjinë fetare si hoxhë apo si prift dhe as nuk mban predikime fetare. Politikani nuk përdor termat fetarë apo gjuhën e fesë duke marrë nga ajo çfarë i duhet për të sulmuar opozitën apo për të dhënë mesazhe për politikën e ditës.
Ka edhe qeveritarë apo politikanë që nuk shtrojnë iftare, por dërgojnë një mesazh urimi duke mbyllur çdo mundësi që të akuzohen se përdorin për politikë momente të tilla. Theresa May, Kryeministrja britanike, për shembull, dërgoi një mesazh. Presidenti Macron mori pjesë në një iftar të organizuar nga Komuniteti Mysliman në Francë, por foli shumë shkurt, tha se “prania e tij ishte për të treguar se përballë vështirësive të mëdha të njerëzve dhe besimtarëve ai ishte në anën e tyre”. Ai iu uroi agjërim të pranuar.
Presidenti Trump po ashtu dërgoi një mesazh ku uroi një “muaj të gëzueshëm”. Ai shtroi edhe një iftar ku tha se dëshironte që myslimanët të jetojnë në harmoni dhe në paqe dhe që Zoti ta bënte jetën e të gjithëve më të mirë. Kryeministri Zaev ishte për iftar në lagjen e Çarshisë në Shkup, foli shkurt dhe uroi besimtarët. Kancelarja Merkel shtroi një iftar ku uroi besimtarët dhe ku tha, për të kundërshtuar edhe partitë ekstremiste, se “islami i përket Gjermanisë”.
Rama ka kohë që përpiqet të sillet si mik i myslimanëve, si dashamirës i tyre, si një njeri që i çmon vlerat e islamit. Në fakt, Rama është një njeri që përpiqet me çdo grup social, kulturor, fetar etj. të sillet sikur është duke punuar për të çuar përpara vlerat e tyre. E vërteta është se Rama është kulturalisht antifetar dhe politikisht kundër një roli të fesë në përvijimin e ideve që sendërtojnë politika publike. Më në fokus të antifetarisë së Ramës është islami. Megjithatë, kjo dhe fakti që PS-ja vjen nga një parti që prishi kishat dhe xhamitë, mund të mos e pengojnë Ramën dhe PS-në të sillet me respekt për fetë dhe për islamin pa i përdorur ato për politikë, por ai nuk e bën.
Rama, veç faktit që i përdor politikisht në shumë raste, i trajton iftaret edhe si kohë e lirë, si kohë për argëtim, si kohë ku të gjithë mund të rrinë bashkë, si kohë festimi. Pra, veç desakralizimit që vjen si pasojë e përdorimit politik, kemi edhe desakralizimin që vjen si pasojë e sekularizimit të një aktiviteti fetar apo të një akti adhurimi fetar. Në fakt, tërë kultura sekulare synon që, vazhdimisht, çdo detaj i jetës fetare, çdo formë adhurimi, çdo kremtim të sekularizohet, të humbë shenjtërinë etj. Megjithatë, politikanët kudo në botë tregohen të kujdesshëm.
Siç e thamë, Macron, ndonëse jo mysliman dhe jo fetar, nuk përdor një gjuhë sekularizuese apo një gjuhë që kërkon ta zhveshë nga shenjtëria Ramazanin. Merkel, një e krishterë, nuk përdor një gjuhë që e zhvesh nga shenjtëria Ramazanin. Presidenti Trump nuk përdor një gjuhë të tillë. Kryeministrja May gjithashtu nuk përdor një gjuhë ku Ramazani të jetë i zhveshur nga shenjtëria. Po e anashkalojmë faktin që Rama përdor regji qendrore, përdor disa kamera, përdor ngjyra spektakli, mban fjalimin kryesor, transmetohet live në Tv, flet mbi 15 minuta, kur myftiu apo hoxhallarët flasin nga një minutë apo dy minuta (që është një fjalim i gjatë për çdo kryetar shteti edhe po ta mbajë në Parlament), dhe po merremi me ato që thotë.
Gjuha e Ramës, veç të qenit për përdorim politik, ishte e gjitha pa asnjë lidhje me muajin e Ramazanit, ishte një gjuhë që e zhvesh plotësisht Ramazanin nga shenjtëria. Ishte një gjuhë që nuk kishte lidhje në asnjë aspekt me Ramazanin si muaj reflektimi, kërkimi i kuptimit të jetës, shikimi nga vetja, meditimi, përpjekje për të pastruar shpirtin dhe zemrën etj.
Gjatë vitit të kaluar Rama mori pjesë apo shtroi disa iftare (ndryshe nga ky vit ku shtroi vetëm një) dhe gjuha e tij ishte tërësisht sekulare dhe pa lidhje me Ramazanin. Ai fliste për mënyrën se si lajmërohej iftari (duke qëlluar me topa tha në Elbasan), për mënyrën se si kishin bashkëjetuar shqiptarët, për arritjet e qeverisë, për mirësitë bashkëpunimit mes njerëzve etj.
Në një iftar të para dy viteve, Rama përdori një gjuhë edhe më problematike, dhe që e sheh Ramzanin si diçka pa lidhje me të shenjtën. Ai tha aty se një mik i tij ateist nuk kishte pranuar të merrte pjesë në iftar sepse nuk ishte besimtar. Rama tha se “miku i tij kishte gabuar që nuk erdhi. Ai që lë vendin bosh në iftar, tha ai, lë vendin bosh për të gjithë”. Rama tha gjithashtu se miku tjetër i tij, Filip Çakulli, ndonëse ateist, kishte ardhur dhe ai nuk do ngelej pa u prekur nga kjo tryezë.
Tërë gjuha e Ramës e zhvesh Ramazanin nga e shenjta. Edhe dekori, kamerat, të ftuarit janë po në këtë gjatësi vale. Rama thotë në çdo iftar se kemi bashkëjetesë, islami është paqe, islami kërkon dijen, citon dijetarë myslimanë, citon edhe ndonjë varg nga Kurani apo ndonjë hadith nga profeti, me qëllim që hoxhallarët, myftinjtë dhe mjaft besimtarë të mendojnë se Rama e do islamin, e respekton islamin dhe vlerat e tij. Në fakt, Rama thjesht e përdor islamin dhe hoxhallarët dhe paralelisht, si askush në botë, përdor një gjuhë që e zhvesh Ramazanin nga shenjtëria. Politikani i vetëm në Shqipëri që mund t’ia kalojë Ramës në këtë përdorim dhe këtë desakraklizim të islamit është Erion Veliaj.
Kurrë Shqipëria, në këto 30 vite liri fetare, nuk ka njohur të tilla sjellje dhe të tilla përdorime. Kurrë Aleksandër Meksi, Sali Berisha, Rexhep Mejdani, Fatos Nano, Namik Dokle, Jozefina Topalli, Ilir Meta, Lulzim Basha nuk i kanë përdorur kështu iftaret dhe myslimanët. Mund të ketë patur mes tyre të krishterë apo ateistë, mund të ketë patur politikanë të cilët myslimanët mund të mos i kenë vlerësuar, por ata kurrë nuk janë parë si njerëz që përdorin apo desakralizojnë gjërat e myslimanëve.
Ka një shembull madhështor bota për mënyrën se si politikanët të cilët nuk janë besimtarë mund të sillen në respekt të popullit të tyre besimtar ose të asaj pjese të popullit besimtar. Ky është Thomas Xheferson, një nga themeluesit e SHBA-së dhe president i saj. Ai ishte deist, pra jo i krishterë. Xheferson shkonte në kishë në kohë festash dhe mbante Biblën në dorë. Kur e pyeti një miku tij pse e bënte këtë në një kohë që nuk ishte besimtar i krishterë ai tha: “e bëj sespe respektoj popullin tim besimtar”. Xheferson, sigurisht, që nuk mbante fjalime, nuk bënte predikime dhe as shtronte darka Krishlindjeje ku t’i përdrte ato si moment për të dhënë mesazhe për kundërshtarët.