Nga Ilir Levonja
Hueyda El Sajed, një vajzë shqiptare me gjak sudanez, balerinë, piktore, etj., person publik, tha në një studio televizioni se dikur nëna e saj jepte gjak për tu ushqyer. Midis të tjerave ajo tregoi për varfërinë tone, se si një mësuese i ofroi bukën e saj etj. Them varfërinë tonë, pasi Hyejda nuk ishte e vetmja. Varfëria ishte gjymtyrë e jona, ajër i së përditshmes. Mirëpo kjo gjë normale kishte mbi kokë një mendje që ngulte këmbë për ta mbuluar atë, për tu dukur se kishim, e kjo ishte anormale. Kjo ishte halli i vërtetë, halli psiqik i joni. Nuk dua të them se më bëri përshtypje. Një edukate e mbrapshtë që bëjmë mire ta hedhim tutje. Megjithatë Hyejda më futi në atë botë ku ka plot të vërteta të tjera të pa thëna. Të paktën mbi konceptin e një veprimi qytetar, turpit, apo hallit.
Më kujtoi ca gjeste të kohës që shumë gra, shumë nëna i bënin…, ca punë me të vërtetë fisnike, por që për kohën, çuditërisht quheshin turp. Ose nuk e di për çfarë dreqin ndjesie vrastare, tonën, brenda nesh, duhej të quheshin të tilla. Kishte plot gra që jepnin gjak. Dhe ta dine shqiptarët, gra. Gratë dominonin në dhënien e gjakut. Burrat numëroheshin me gisht. Këtë ma ka verifikuar një mjek kohë më vonë, një përfaqësues i Bankës së gjakut, duke më thënë se për burrat ishte tabu. Shitja e gjakut në kohë ishte një punë e fshehtë. Të paktën për mentalitetin tonë.Edhe pse ekzistonin Institucionet. Një turp edhe pse në fakt është puna më fisnike. Atëhere bëhej nga halli. Dhe në mëndjen tone, halli ishte turp. Kësisoj futej në atë kategorinë shët, mos trego, mos fol. Plot kemi. Në kategorinë e turpit, a prostitucionit. Kjo mendësi ndihet edhe sot në raport me halle të tjera, deri tek shëndetsoret. Mos rrëfimi, mos shkuarja tek doktori etj. Po, jepej gjak me lek. Nga halli jepej. Nga varfëria.
Plot jepnin, e askush nuk tregonte. Jepnin edhe për halle që tanimë na duken fare banale, thjesht dikush, miku, a shoku, a fqinja, martonte djalin a vajzës. Dhe duhej patjetër t’i shkonte e ta doroviste në tabaka.
Sot botës, dhënia e gjakut quhet dhurim. Dhe shpesh të ofrohen për mirësi dy bileta kinemaje. Sepse në konceptin bashkëkohor, dhurimi gjakut është shpëtimi i një jete. Atëhere shpërblimet me lek ishin mbyllja e llogarive të një ekonomie të dështuar, të një shteti megafon. Dhe midis hallexhinjve kishte dhe nga ato e ata që ia kishin kuptuar zgjebosjen sistemit dhe rronin duke dhënë gjak. Jashtë realitetit. Puna është se, po sot… a vazhdojmë me këtë mentalitet shët, karshi dështimeve sociale? Pa as më të voglin disktuim që po. Jo të gjitha arritjet duhet medoemos t’i atribuohen apo të priten prej politikës, por edhe nga përgjegjësia civile. Se duke i thënë si merita dështimet e së kaluarës, vazhdojmë të njëjtin avaz. Avazin e shët-it. Se sa e rëndësishme është të japësh gjak, e dine ata njerëz që kanë talaseminë pjesë të familjes. Ata njerëz që vetëm kur u bie halli në kokë, mbajnë sytë tek bankat e gjakut.
Gjithësesi jashtë këtyre hamendësimeve sociale, janë dhe mbeten të arta ato nëna që jepnin gjakun e trupit. Po, po, të arta.