Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka zhvilluar një takim madhështor në qytetin e Fierit për zgjedhjet e 25 qershorit. Në këtë takim ishte i pranishëm kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, kryesuesi i listës për deputet Nustret Avdullai, si dhe kandidatët e tjerë për deputet në qarkun e Fierit. Idrizi i kërkoi qytetarëve të Fierit që të votojnë PDIU-në dhe të zgjedhin për ti udhëhequr qytetarët e tyre, në mënyrë që të ndryshojnë skenën politike.
“Ejani të bëhemi bashkë ta ndryshojmë skenën politike shqiptare. Të vëmë minimalisht politikanë normal e qytetarë normal që të na udhëheqin. Qyetarë të Fierit, ju ftoj të votoni djemtë dhe vajzat tona, që në radhë të parë do të jenë qytetarë të Fierit e pastaj mbrojtës të kauzave të PDIU-së. Ne jemi këtu e rritemi përditë, sepse kauza jonë është kauza e çdo shqiptari, sepse kauza e shqiptarëve të Çamërisë që plotëson hartën identitare të kombit shqiptar është një frymëzim, një arsye e përbashkët, për t’i pasur të gjithë shqiptarët bashkë nga Preveza deri në Mollën e Kuqe. Të ngrihen në këmbë të gjithë djemtë dhe vajzat e Çamërisë dhe gjithë ata qytetarë të Fierit e të Shqipërisë që mendojnë si ne, që ne kemi “Veç një Atdhe”. Ai që kryeson listën tonë, është jo vetëm një shqiptar patriot por në radhë të parë është një qytetar i shkëlqyer i Fierit. Sot PDIU-së i janë bashkuar të gjithë shqiptarët patriotë nga Tropoja në Konispol, nga Dibra, Kukësi, Shkodra, Korça, Fieri, Vlora, Tirana dhe kudo ku jeton e ka frymë shqiptari që mendon si ne, që kemi “Veç një Atdhe”,- u shpreh Shpëtim Idrizi.
Kryetari i PDIU-së tha se do të kërkojë nga Parlamenti i ardhshëm që të ndryshojë ligjin për referendum, pasi shqiptarët kanë të drejtë të vendosin për fatin e tyre dhe jo vetëm 2-3 parti.
“Ju e dini miqtë e mi, që korifejtë e humanizmit, ata që sollën demokracinë, luftuan kundër pushtetit absolut të mbretit dhe bënë ndarjen e pushetit në shumë duar. Kjo është demokracia, që të kemi shumë më tepër njerëz në vendimarrje. Kjo është arsyeja që ne do të propozojmë në Parlamentin e Shqipërisë ndryshimin e ligjit për referendum. Nuk mundet dot që dy apo tre vetë të vendosin për fatin e shqiptarëve, por në radhë të parë duhet të jenë qytetarët ata që duhet të vendosin. I keni parë ata që na kanë udhëhequr për 27 vjet? Vijnë këtu para jush duke e stigmatizuar njëri-tjetrin, duke e mbajtur këtë vend të vogël e të begatë në një konflikt të vazhdueshëm, duke na mbajtur të ndarë në të majtë e në të djathtë, në besim fetar, për një arsye të vetme, sepse nuk mund të vijnë dot para jush dhe të japin llogari për programin që kanë pasur para katër vjetëve, kur kanë marrë votën tuaj.
Më duhet t’i drejtohem sot të gjithë bashkëpatriotëve të mi të cilët partitë e tjera politike i kanë futur masivisht në lista, jo vetëm këtu në Fier. Më vjen mirë që u kujtuan edhe për shqiptarët e Çamërisë. Më vjen shumë keq se si këtu në Fier, në Vlorë, Durrës, Tiranë e kudo i kanë vendosur në vende jo fituese, në limitet e listave, sepse duan padyshim të marrin votën tonë. Miqtë e mi, patriotët e mi, më mirë klumushtuar në shtëpinë tënde, se sa torta me kate në shtëpinë e botës, të cilën vetëm do ta shihni dhe asnjëherë nuk do ta prekni”,- u shpreh Shpëtim Idrizi, i cili ftoi të gjithë qytetarët e qarkut të Fierit të votojnë nr.13 në zgjedhjet 25 qershorit.
Ndërsa kryesuesi i listës për deputet në qarkun e Fierit, Nustret Avdullai, tha se: “Ne duhet të jemi të bashkuar, të shpalosim vlerat tona, në një drejtim dhe për një qëllim. Të grupohemi te shtëpia jonë e përbashkët, që është Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Çamëria sot ka nevojë për të gjithë çamët, kudo që ndodhen në të majtë e në të djathtë. Çamëria nuk ka ngjyrë tjetër veç ngjyrën e flamurit tonë kombëtar.”