Alibeaj: 10 ditë që na kujtojnë lidhjen e Balilit me Ramën dhe Tahirin
Partia Demokratike, nëpërmjet kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj, kujtoi se sot bëhen “10 ditë nga arratisja e drejtorit rajonal të Edi Ramës, Klement Balili, i akuzuar për trafik ndërkombëtar narkotikësh”. “Eskobari i Ballkanit, siç e quajti CNN, arriti t’i shpëtonte aksionit të organizuar nga disa shtete të Europës, përfshirë dhe DEA-n amerikane. 10 ditët e arratisjes së tij janë 10 ditë që na kujtojnë lidhjen e Balilit me Ramën dhe Tahirin. Janë 10 ditë që dëshmojnë sabotimin dhe tradhtinë që Saimir Tahiri i bëri policisë greke, belge e DEA-s amerikane, duke i dhënë Balilit mundësinë për t’i shpëtuar drejtësisë. Policitë e vendeve të BE-së dhe DEA e dinin mirë se Balili kishte lidhje të forta me qeverinë dhe ministrin tonë të Brendshëm, ndaj dhe i kishin përjashtuar nga aksioni ndërkombëtar”, tha Alibeaj. “Në vend që të mbikqyrte Balilajn, Tahiri, mesa duket, mbikqyrte aksionin ndërkombëtar dhe kështu, kur partnerët iu afruan trafikantit, drejtorit rajonal të Edi Ramës, ministri i Brendshëm i dha ndihmën e nevojshme për t’u arratisur. Një fushë ku tashmë Tahiri dhe Rama kanë përvojë të pasur, siç bënë dhe me Frrokun, të dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e komisarit. Çdo ditë në arrati e Balilit, është një akuzë më shumë për Tahirin e Ramën. Çdo ditë në detyrë e Tahirit, është një ditë më shumë në pushtet e krimit, e bandave e trafikantëve të drogës”, shtoi Alibeaj.