Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Pasuritë e deklaruara/ 170 mijë euro në vit, të ardhurat e një anëtari të Gjykatës së Lartë

Nga Media 0

 

Përfitime nga qera, interesa bankare e të tjera aktivitete që e çojnë përfitimin vjetor të një gjyqtari  sa 1400% e pagës vjetore

Edhe pse rroga mesatare e një anëtari të Gjykatës së Lartë është rreth 1 mijë euro, 17 gjyqtarët e kësaj trupe kanë të ardhura sa  14-fishi i kësaj page. Në krye të listës së anëtarëve të Gjykatës së Lartë për nivelin e të ardhurave vjetore është Mirela Fana, me rreth 170 mijë euro në vit, i dyti pas saj vjen Shkëlzen Selimi, e më pas Artan Broci, Xhezair Zaganjori etj. Open Data Albania ka renditur Gjyqtarët  e Gjykatës së Lartë sipas vlerave për të ardhura të deklaruara për vitin 2015. Në hulumtimin e ODA është bërë renditja dhe kategorizimi sipas burimit të të ardhurave, e në fund për totalin e të ardhurave të krijuara në vitin 2015.  Gjykatësi më i paguar për punë pranë Gjykatës së Lartë dhe të tjera angazhime profesionale, gjatë vitit 2015 rezulton Kryetari i Gjykatës së Lartë zoti Xhezair Zaganjori. Të ardhurat e tij diferencojnë për shkak të faktit që ai është kryetar i gjykatës, sikurse ka angazhime profesionale akademike dhe universitare. Paga e tij për shkak të funksionit pranë Gjykatës së Lartë  deklarohet në vlerën 2 063 000 lekë, dhe të ardhura nga puna në total duke shtuar këtu angazhime akademike pranë Shkollës së Magjistraturës dhe Universiteteve, shkon 3 323 266 lekë.

Pas zotit Zaganjori është Gjyqtari Ardian Nuni që mban vendin e dytë në renditjen sipas të ardhurave personale nga puna. Zoti Nuni ka shënuar gjatë 2015 veç pagës si Gjyqtar edhe pagesa pranë shkollës së Magjistraturës dhe Universitetit të Tiranës, sikurse është angazhuar dhe paguar si ekspert në Grupe Këshillimore pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe Grupit të Posaçëm të Punës për Reformën në Drejtësi.

Dhjetë nga shtatëmbëdhjetë gjyqtarë kanë deklaruar se kanë të ardhura nga paga dhe shpërblime të punës vetëm për funksionin e gjyqtarit. Ajo çka bie në sy për deklarimin e të ardhurave të gjyqtarëve nga subjekte tregtare, jo publike që funksionojnë si universitete private është deklarimi si punëdhënës vetëm emrin e universitetit. Referimi i shoqërisë tregtare që vepron si universitet, dhe punëson një gjyqtar, do të adresonte më saktë burimin e të ardhurës dhe do ta adresonte më qartë  kontrollin e konfliktit apo papajtueshmërisë me funksionin e gjyqtarit në rast gjykimi sipas çështjeve.

Honoraret përbëjnë një tjetër kategori deklarimi për burimin e pasurisë, ku zoti Artan Broci deklaron se si anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ka përfituar ne 2015 pagesën prej 102 000 lekësh.

Të ardhurat nga interesat e depozitave bankare, maturimit të letrave me vlerë dhe obligacioneve, është një tjetër formë përfitimi të ardhurash.  Zonja Arjana Fullani mban vendin e parë për shkak të përfitimeve të këtij lloji. Ajo deklaron të ardhura nga interesa bankare dhe bono thesari në vlerën 540 663 lekë. Zonja Evelina Qirjako dhe zoti Aleksandër Muskaj pasojnë listën.

Edhe të ardhurat nga qiratë japin një pasqyrë të pasurive që gjenerojnë fitime për subjektet deklaruese. Nëntë Gjyqtar të Gjykatës së Lartë përfitojnë të ardhura nga qiratë. Gjykatësi që ka përfituar më shumë të ardhura nga qiratë është Shkëlzen Selimi me shtatë pikë trembëdhjetë milionë lekë. Evelina Qirjako gjithashtu ka përfituar një vlerë të konsiderueshme si të ardhura nga qiratë, përkatësisht pesë pikë gjashtë milionë lekë. Gjashtë gjyqtarë rezultojnë me të ardhura nga qiratë më të larta se të ardhurat e pagës pranë Gjykatës së Lartë.

E drejta e autorit dhe e drejta e publikimit, si një burim fitimi specifik për emra të doktrinës juridike, është deklaruar si burim të ardhure për vitin 2015 vetëm nga një anëtar i Gjykatës së Lartë. Është kryetari i kësaj gjykate zoti Xhezair Zaganjori që deklaron se ka fituar 190 000 lekë nga shitja e librit dhe e drejta e autorit për vitin 2015.

Sipas deklaratave të gjyqtarëve për vitin 2015 rezulton që një Anëtar i Gjykatës së Lartë fiton mesatarisht mbi 6.5 milionë lekë në vit ose mbi 730 000 lekë në muaj, mesatare kjo katër herë më e lartë se paga si gjykatës. Gjithsesi vlen për tu theksuar se mesatarja e të ardhurave vjetore për gjyqtar të gjykatës së lartë në 2015 nuk është më e lartë se ajo e deputetëve të cilët në analizën e bërë nga Open Data Albania, reflektonin një të ardhur vjetore mesatarisht 8.4 herë më të lartë se paga.

http://open.data.al/sq/lajme/lajm/lang/sq/id/1900/Anetare-te-Gjykates-se-Larte-te-ardhura-te-deklaruara-ne-nje-vit-sipas-burimit-te-krijimit-2015

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej