Nga Alba Haruni
Sot dua që me ju të shpalosim së bashku atë çfarë i karakterizon çamët dhe krahinën e bukur të Çamërisë. Sot dua të ndjehemi krenarë që i perkasim asaj pjese të kombit shqiptar që ka ditur të ruajë gjuhën dhe zakonet edhe në kushtet më të vështira politike-shoqërore, që ka nxjerrë nga gjiri i saj qindra burra të pushkës dhe të penës.
Çamëria e sotme është Thesprotia e lashtë ilire. Ajo përbën grupin e katërt të krahinave etnografike që formojnë Toskërinë. Në Enciklopedinë e Madhe Helenike, vëll.XXIII, faqe 405, thuhet: “Çamëria përfshin krahinat e Paramithisë, Filatit, Pargës dhe Margaritit, si dhe disa fshatra të krahinës së Delvinës, që përfundojnë në bregdet, që prej grykave të Akeronit deri në Butrint.” Studiuesi grek, Jani Sharra, thotë: “Çamët me origjinë shqiptare, banorë të Çamërisë (Thesprotisë) nga shek. 17-18 përkrahën besimin mysliman”. Ndërsa V.Krapsiti, në librin “I muslimani Camidhes tis Thesprotias, Athinë 1986, thotë: “Pranojmë se në tërësinë e tyre myslimanët çamë të Thesprotisë rrjedhin nga të krishterët vendas”.Sot historianët grekë të fund shekullit të XIX e deri më sot, përpiqen të tjetërsojnë historinë dhe faktet e saj por, historia në vetvete është shkencë ”kokëfortë” dhe e pa manipulueshme. Të vërteta të hidhura për grekët por që dëshmojnë pa mëdyshje prejardhien e çamëve dhe shqiptarëve në tërësi, vijnë që nga lashtësia greke, nga filozofët dhe studiuesit e asaj kohe. Në një nga shkrimet e Herodotit thuhet: “Thesprotët janë fisi në kufi me ambrakasit dhe leukadasit, fiset më skajore greke, që dërgonin burra në luftën e Selaminës”. Pra, siç shihet, faktet që sjell Herodoti tregojnë se Molosët nuk ishin grekë. Kjo nuk është aspak e rastit, po të kihet parasysh se molosët banonin “këndej Thesprotisë”.E keshtu mund të sjellim fakte pa fund për të qenurit tonë autoktonë në ato troje që u zaptuan në mënyrën më barbare në fillimin e shekullit të XX, të inicjuar nga teoritë famëkeqe të “ Megalidese”.
Nuk dua të ri pa përmendur dhe rëndësine e gruas në këtë krahinë shqiptare. Wshtë merita e saj që gjuha , tradita e zakonet e Çamërisë ,u trashëguan brez pas brezi edhe pse në këto troje nuk u lejua kurrë shkollimi apo përdorimi publik i gjuhës shqipe. Për hir të së vërtetës kjo mënyrë e ruajties të paprekur të gjuhës, kërkon një studim të hollësishëm dhe padyshim do arrinim në përfundimin se dashuria për tokën e për nënën, është aq e fortë sa mund të mposhtë cdo terror e frikë.
Studiuesja e shquar Elena Gjika, nga Parga, në veprimtarinë e gjerë të saj studimore, nuk lë pa përmendur bukurinë e simotrave të saj shqiptare të Shqipërisë së Poshtme, duke u ndalur tek bukuria fizike e përkryer e tyre. Mes të tjerave, ajo shkruan: “Gratë e kësaj pjese të Shqipërisë, mund të kishin shërbyer si modele të Fidias dhe Praksitelit…” Për Dora D’Istrian, “janë gratë më të bukura të gadishullit lindor… Mahnitesh me luginat e këndshme të Çamërisë, me bukuritë e virgjëneshave të saj me sy të zinj, flokët e mrekullueshme të të cilave, me ngjyrë të rreshkët në gështenjë, u rrëzohen gjer te thembra…”
Krahas bukurisë, si dhuratë e natyrës, trimëria e gruas çame ka qenë dhe ka zënë vend në kufijtë e legjendës. Rrëfimet e transmetuara brezave, gojëdhënat, këngët; por dhe dokumentet arkivore të kohës, e evidentojnë dendur këtë fakt.Por të gjitha që cituam më sipër, sipas dokumenteve arkivore e studiuesve (këtu të gjithë bashkohen në një pikë) nuk do të kishin vlerë, apo më saktë nuk do të ishin të plota pa përmendur suliotet çame. Shumë studiues, që i kanë pasur në qendër të studimit të tyre Çamërinë dhe çamët, e pasqyrojnë gruan çame të Sulit si luftëtare dhe bashkëshorte të aftë të burrit, si bartëse të ideve më të mira të kombit e pajisur me ndjenja të larta si një nënë e denjë për të rritur dhe edukuar fëmijët, si luftëtare e trimëreshë, si shtëpiake e përkryer dhe në punët jashtë shtëpisë, si dhe në mbrojtjen e trojeve, të fisit dhe të afërmve të saj.
Këto tipare të gruas çame, këto fakte historike, padyshim që na bëjnë të ndihemi krenarë që ne dejet tona rrjedh gjaku i atyre trimëreshave të cilat kane ditur të jenë krah burrave në të mire e në të keq , në luftë e në gëzime.
Çamët, janë ata burra e gra që kanë një lidhje të vecantë me vendin e tyre. Këtë gjë e kanë vërejtur e shprehur dhe shumë historianë e studiues të ndryshëm që i kanë shkelur këto troje në periudha të ndryshme. Lidhur me këtë, Pukëvili thotë: “Çamët, vendin e tyre e duan me entuziazëm. Kur flasin për të, e vënë mbi vendet e tjera. Vështrimi i tyre vete kurdoherë mbi malet e Epirit. Ndërsa Bartholdy, që ka qëndruar pranë çamëve në ditë të vështira, tregon se “…çamët nuk ishin nënshtruar kurrë nga Turqia e në çdo kohë në Paramithi e rrethinat e saj mund të dilnin 2000 luftëtarë”. Ka shumë shembuj e vlerësime që shprehin lidhjet e shqiptarëve çamë me fatet e vendit të tyre, pa marrë parasysh vështirësitë dhe rreziqet, vendet ku ndodhen dhe funksionet që kryejnë. Le të kujtojmë se shqiptarët e Çamërisë, të emigruar pas pushtimit të vendit të tyre nga qeveria greke (1912-1913), nisen të zhvillojnë një veprimtari të dendur patriotike e politike, për të sensibilizuar diplomacinë e Fuqive të Mëdha për çështjen e Çamërisë.
Është me interes të nënvizoj faktin se të huajt që kanë udhëtuar në viset e Çamërisë në fillim shekullin e 19-të e më pas, në veprat e tyre, krahas të dhënave për gjeografinë, historinë, të folmen kanë përshkruar edhe kostumet popullore, mënyrën e të kënduarit, vallet apo elementë të kulturës shpirtërore Çame.
Disa nga veçorite dhe tiparet kryesore të kulturës çame janë:
1-Kultura çame është pjesë e kulturës shqiptare dhe si e tillë ajo mbart dhe trashëgon tiparet dhe vlerat e kulturës shqiptare në tërësi.
2-Ajo shpreh vlerat e një popullsie me histori të lashtë të formuar në epoka të ndryshme që nga elementet parailire. Nuk është e rastit që një nga përfundimet e studjuesve gjermanë në librin “Këngët e çamëve” se “ky gjurmim muzikologjik dhe tekstologjik dhe botimi i materialit të mbledhur na tregon qarte se te këngët çame kemi të bëjmë me një shtresë arkaike të muzikës shqiptare”.
3-Çamëria dhe kultura e saj, duke qenë në kufi me Greqinë dhe popujt e tjere të Ballkanit ka dhënë dhe ka marrë prej tyre pasi,kulturat nuk kanë njohur e as njohin kufij apo barriera artificiale. Nuk është e rastit që një nga vallet levende çame, është pjesë e pandarë e të gjitha koncerteve të ansambleve greke. Ashtu dhe kostumi burrëror i Çamërisë, është bërë veshja e Gardës Kombëtare të Republikës së Greqisë.
4-Kultura çame është e lidhur pazgjidhshmërisht me ngjarjet e fatet nëpër të cilat e hodhi historia këtë treve. Vlerat dhe veçoritë e saj, padyshim janë të ndikuara dhe nga mjedisi ku ajo është krijuar e zhvilluar. Universi i kulturës çame, bota shpirtërore e çamëve, doket dhe zakonet, mënyra e jetesës etj.etj është i pashkëputur nga bukuritë dhe larmitë e natyrës së Çamërisë.
Dua ta mbyll pa shtuar asnjë fjalë më tepër nga ajo çfarë ka shprehur Elena Gjika, nga qyteti magjik i Pargës tonë e një nga gratë më të kulturuara shqiptare e europiane të shekullit të 19-të.
“Çamëria e vendosur me fytyrë nga ishujt jonianë, është nga krahinat më të këndshme në lindje. Unë nuk besoj se i bëj lëshime entuziazmit patriotik, kur ju mburr bukuritë e këtij vendi të mrekullueshëm. Në luginën e Akerusisë dhe nën lisnajat e Dodonës, mbretëron një pranverë e përjetshme. Në gjirin e pyjeve shekullorë avullojnë mijëra parfume, qarkullon gjatë verës një fllad i freskët që zbret nga majat me borë”