OFL ka shënjestruar vëllezërit Xhezu. Gjithashtu i dërgon formularin një tjetër figure të njohur në Vlorë, Gentjan Dautajt, i njohur për atentatin e dështuar ndaj Inez Hajrullës. Ndërkohë edhe Divid Islamaj, i dënuar për drogë duhet të justifikojë pasurinë.
NJOFTIMI NGA POLICIA
OFL, 2 korrik
Në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020, vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit.
Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
- Xh., banues në Vlorë, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.
- Xh., banues në Vlorë, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
- D., banues në Vlorë, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, e mbetur në tentativë;
- I., banues në Vlorë, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjithnismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.