Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka folur me tone të ashpra lidhur me ligjet që po miratohen në Kuvend për hapjen e dosjeve dhe lustracionin, që sipas ish-presidentit po bëhen me qëllim goditjen e figurës së tij.
Gjatë një konference për mediat, Meta është shprehur se ato ligje “do ja fusë Ramës atje ku atij i shijon më shumë”, ndërsa thumboi hapur Lulzim Bashës duke e etiketuar si Klareta, “dashnorja e Benito Musolinit”. Gjithashtu ai ka shtuar se në ditët në vijim do të formalizohet marrëveshja e bërë sot me Partinë Demokratike për “Primare” dhe “Referendum”.
“Është një çështje që meriton një konsultim pak më të gjerë dhe do të ketë një njoftim për protestën e radhës. Besoj se kam qenë shumë i qartë. Do të formalizohet marrëveshje e bërë sot. Primare dhe Referendum. Unë jam shumë i qartë për marrëveshjet por vonon zoti Noka dhe Valili me zbardhjet. Së pari duhet të keni parasysh që unë i mbaj premtimet dhe ju kam thënë që ligjet që bën djali i Kristaqit, Edvin Kristaq Rama. Nipi i Spiro Kolekës, me tolerancën më të madhe do t’ja fus atje ku i shijon më shumë atij. Të gjithë ata që kujtojnë që do të fusin hundët në zgjedhje do të kenë fatin e Mussolinit dhe Klaretës. Klaretën e dini ju, ishte dashnorja e Mussolinit. Klareta është ai i 17 majit, që u mbyll atje në zyrë me… Kanë të drejtë që kanë tmerr me partinë e Lirisë. Nuk do kenë vrimë miu ku të hyjnë, këto janë premtime. Piktori i sigurimit të shtetit, duhet ta dijë shumë mirë se do të përgjigjet një për një dhe unë do ta mbaj premtimin siç e di ai që përdor të tjerët për të vjedhur siç përdori Lefterin, Tahirin dhe Bllakon”, tha Meta.