Mijëra studentë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut protestojnë sot para Urës së Gurit në Shkup duke kërkuar të drejtën kushtetuese të mbajtjes së provimit të drejtësisë në gjuhën shqipe. Me pankarta të shumta të duar, studentët kërkojnë dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov, i cili ua ka kundërshtuar këtë kërkesë studentëve.
“Bashkohuni me studentët – të gjithë njëzëri”, është slogani i protestës që si mesazh ka mbrojtjen e së drejtës së gjuhës për provimet profesionale.
Gjatë së dielës, ka pasur dhjetëra reagime në mbështetje të studentëve nga figurat publike si Ramush Haradinaj, Shkurte Fejza, ambasadori i Shqipërisë në Shkup e madje edhe PDK.
Kjo është protesta e dytë që organizojnë studentët shqiptarë dhe vjen si pasojë e refuzimit të kërkesës së tyre nga ana e ministrit të Drejtësisë.
Më 6 prill 2026 në Shkup, mijëra studentë dhe qytetarë shqiptarë dolën në zemër të Shkupit dhe kërkuan respektimin e të drejtave të tyre, çka nxiti kryeministrin Hristijan Mickoski të deklaronte nxitimthi se qeveria e tij po punonte për një zgjidhje dhe shumë shpejt do të kishte një propozim konkret.
Çfarë thotë ligji për provimin e jurisprudencës?
Sipas mediave në Maqedoni, në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase. Neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve të tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.
Projekt propozimi që do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ka qenë gati në vitin 2024 nga Ministria e Drejtësisë, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u zu më në gojë nga qeveria aktuale.
Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, dhe prej asaj kohe, në Maqedoninë e Veriut janë ndërruar katër ministra të drejtësisë si Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga. Aktualisht ministër është Igor Filkov.
Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të detyruara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedonase, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.
Njëri nga organizatorët e protestës së studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, Mevlan Ademi, ka reaguar ashpër përmes një postimi në Facebook, duke thënë se disa shqiptarë janë ndaluar në një pikë kufitare dhe duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre.
Ademi paralajmëroi se nëse nuk ka reagim të shpejtë nga institucionet, organizatorët do të marshojnë drejt Ministrisë së Punëve të Brendshme.
“Lëshoni menjëherë vëllezërit tanë shqiptarë të ndaluar në pikën kufitare! Kërkojmë veprim të menjëhershëm dhe lejim të hyrjes së tyre pa vonesë. Nëse nuk ka ndërhyrje të shpejtë dhe zgjidhje urgjente, ne do të jemi të detyruar të marshojmë drejt Ministrisë së Punëve të Brendshme!”, ka shkruar Ademi.
Në reagimin e tij nuk është specifikuar se në cilën pikë kufitare dyshohet se janë ndaluar personat në fjalë. Deri tani nuk ka asnjë informacion zyrtar nga autoritetet për pretendimet e publikuara nga Ademi apo për arsyet e ndalimit të mundshëm.
gijotina.com/










