Nga Majlinda Bregu
Gjetjet e një sondazhi të NDI, Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, (Institutit Demokratik Amerikan), besoj se nuk po më bëjnë të mendoj vetëm mua. Ka kohë që këmbana e zhurmës prej zbrasjes nga mendimi politik dhe mosbesimi te ndryshimi që sjell politika, bie fort. Ndërkohë, që mbushja e gjymit me tallava politike, demagogji e marketing politik nuk e pudros dot krizën e gjithanshme që ka mbërthyer këtë vend.
Përkundrazi, logoretë boshe të politikaneve që nuk mendojnë atë që thonë dhe thonë atë që s’bëjnë, janë vetëm paradhoma e kësaj rënie të paralajmëruar. Por po ndodh ajo që pritej. E kam thënë gati para një viti dhe më vjen keq që asgjë nuk më bën që të ndryshoj mendim. Investimi i politikës tek individët e mesazhe apolitike; investimi i politikës tek vetshkatërrimi, boshatisja nga idealet duke i predikuar dhe praktikuar këto, investimi i politikës tek antipolitika, është politikë më vete!
Përsa kohë e vetmja pikë ku politika gjen konsensus është mosbesimi mes palëve politike, njerëzit do ta ankorojnë shpresën e besimin jashtë politikës. Përsa kohë ndryshimi për mirë jo vetëm nuk ndodh, por qytetarët jetojnë më keq, janë më të kërcënuar për t’përditshmen, janë shumë më të pashpresë për të ardhmen, diku besimi do të ankorohet. Dhe shoqëria civile, mendimi online, një hapësir që s’ka për kufi ideologjitë pa ide, fiton atë që lëshon politika. I kundërvihet institucioneve, partive e politikës së pari. Askush nuk e di çdo ndodhë nesër. Mesa duket, “demokracia e publikut”- shoqeria civile, mediat sociale po i zënë vendin “demokracisë të partive”.
Me sa duket qytetarët po preferojnë demokracinë direkte. Me sa duket, ja dhe një raport-sondazh tjetër për të reflektuar këto ditë për gjithë mëkatet tona.