Ambasadorja Besiana Kadare dhe fotografi i shquar shqiptaro-amerikan, Fadil Berisha organizuan javën e kaluar, në Nju Jork, një mbrëmje me sopranon me famë ndërkombëtare Ermonela Jaho.
Një grup shqiptaro-amerikanësh, shumë prej tyre artistë, u mblodhën për të festuar suksesin e radhës të Ermonelës që kësaj here ishte ylli i sezonit të Metropolitan Opera me rolin e Çio-Çio-Sanit në operën e famshme të Puçinit, “Butterfly”.
Ishte veprimtaria e radhës, në një seri aktivitetesh të Ambasadores Kadare në komunitetin shqiptar.
Disa prej artistëve të pranishëm, të njohur sidomos në fushën e muzikës, interpretuan solo ose nnë duete për kënaqësinë e të ftuarve. Fituan duratrokitje e përgëzime, Mira Konçi (e shoqëruar nga Shpetim Saraçi), Riad R. Ymeri, Ergin Oda, Lori Miho etj.
Sopranoja e shquar i falenderoi nga zemra ambasadoren, artistin Fadil Berisha që nuk kursen asgjë për promovimin e kulturës shqiptare dhe pjesëmarrësit.
Fotografitë që shoqërojnë këtë shënim u morën nga mjeshtri i fotografisë Ilir Rizaj.
“Kjo është diplomaci kulturore në versionin e saj më të mirë”, shkroi në Facebook, Ambasadorja Kadare, për artistët e mbledhur. “Faleminderit që kontribuat në këtë mbrëmje me muzikën dhe shpirtin tuaj”.
http://illyriapress.com/nje-mbremje-ne-misionin-e-shqiperise-ne-okb-me-sopranon-ermonela-jaho/