Nga Kastriot Myftaraj
Sot disa të rinj muslimanë praktikues, më ndaluan në rrugë me mirësjellje dhe deshën të dijnë nëse e kam lexuar Kuranin dhe në çfarë botimesh. Unë iu thashë se e kam lexuar në shumë botime që kam gjetur në gjuhën shqipe. Pastaj shtova se, meqënëse pyetja e tyre nënkuptonte një dyshim, unë po i lejoja vetes të shprehesha me siguri të plotë se ata nuk e kishin lexuar Kuranin dhe mund t’ ua vërtetoja këtë gjë në jo më tepër se 100 sekonda, nëse kishin durim të më dëgjonin.
Ata qeshën dhe më thanë se kisha gjithë vëmendjen e tyre për t’ ua shpjeguar atë që thashë. Meqnëse njëri prej tyre mbante në dorë një libër të një studiuesi të njohur të huaj të shkencave politike, unë e përdora këtë gjë për të ilustruar argumentin tim duke e pyetur se si do ta lexonte librin që kishte në dorë, nga fillimi në fund, sipas renditjes së kapitujve të tij apo duke e përmbysur rendin e kapitujve sipas dëshirës.
Bashkëbiseduesi tha se do ta lexonte në të dy mënyrat, pra edhe sipas renditjes që kishte bërë autori, por edhe sipas dëshirës së tij si lexues, duke përdorur indeksin e librit për të gjetur çështje, emra etj.
Unë i thashë se ai kishte mundësi që ta bënte këtë gjë sepse libri që mbante në dorë kishte një indeks. Pra, botuesi i librit i kishte dhënë lexuesit një kod leximi praktik përveç leximit vijimor që kishte ofruar autori i librit si mundësi. Kështu lexuesi kishte dy mundësi.
Tani le ta shohim Kuranin në këtë pikëpamje, iu thashë bashkëbiseduesve të mij. Kurani është një libër autori i të cilit mendohet të jetë Allahu. Ky ia ka shpallur kapitujt e librit, të quajtur sure, Muhamedit. Logjikisht, radha e shpalljes së sureve duhet të përbënte renditjen e tyre në libër, pra në Kuran.
Por nuk është kështu. Kapitujt (suret) në Kuran janë renditur sipas dëshirës së një pasardhësi të Muhamedit, Khalifit Uthman, i cili i dha vetes autoritetin të ndryshojë vullnetin e Allahut për renditjen e sureve. Nga njëqindekatërmbëdhjetë sure që ka Kurani, rendi i shpalljes me rendin kuranor përputhen vetëm në dy raste, në suren e shtatëdhjetëenjtë dhe në atë tetëdhjetëedytë!
Nuk ka asnjë porosi të Allahut, asnjë hadith të Muhamedit për renditjen e sureve, ndryshe nga rendi i shpalljes së tyre. Uthmani e bëri këtë sepse ai dinte diçka që nuk e tha dhe me sa duket këtë e dinin edhe pasardhësit e tij deri më sot.
Këtë e them sepse në mënyrë mëse të arsyeshme lind pyetja: A nuk duhej që më vonë Kurani të botohej duke u renditur suret sipas rendit të shpalljes së tyre, jo sipas rendit të vendosur nga Uthmani? Sepse a nuk duhet që besimtarët ta lexojnë Kuranin sipas rendit të shpalljes së sureve?
Për të pasur një ide mbi përmbysjen e rendit të sureve nga Uthmani mjafton të jepen disa shembuj. Sureja e parë të cilën Allahu ia kumtoi Muhamedit është ajo El Alaq (e fetusit). Khalifi Uthman i lejoi vetes që ta shtynte atë tutje në Kuran, në vendin e nëntëdhjetëegjashtë, pra në fund të librit. Sureja e dytë e shpallur është Al Qalam (e penës), të cilën Uthmani e zhvendosi të gjashtëdhjetëetetën.
Sureja e tretë e shpallur është Al Muzzamil, të cilën Uthmani e zhvendosi të shtatëdhjetëetretën.
Sureja e parë në Kuran, Al Fatehah është e pesta sipas rendit të shpalljes. Sureja e njëqindetrembëdhjetë e shpallur (e parafundit) është e nënta në Kuran.
Unë i pyeta bashkëbiseduesit e mij se përse nuk botohet Kurani sipas rendit të shpalljes së sureve nga Allahu dhe ata m’ u përgjigjën se kjo është haram, pra e ndaluar, e gabuar.
Unë i pyeta se si është e mundur që të jetë haram një gjë që e ka bërë Allahu dhe të jetë e lejuar, e rregullt një gjë që e ka bërë një njeri që nuk ishte as profet, Uthmani. Kështu del se më qendër të Islamit është dogma se Uthmani është më i madh se Allahu, pra çdo Kuranin faktikisht mban parimin e pashkruar “Uthmani Akbar”. Mund të thuhet se me Uthmanin nis Islamizmi, që do të thotë rishpikja e Islamit si doktrinë politike.
Por e vërteta duket se është më e ndërlikuar. Nëse lexohen suret e Kuranit sipas dy renditjeve, kuptohet arsyeja e përmbysjes së renditjes së tyre nga Uthmani, i cili në fakt nuk e ka tjetërsuar Islamin e shpallur nga Allahu, por është përpjekur të fshehë thelbin e tij të rrezikshëm për botën dhe në të njëjtën kohë ka dhënë një kod për ta kuptuar dhe zbatuar atë.
Kjo gjë bëhet e qartë nëse Kurani do të lexohet sipas rendit kronologjik të shpalljes së sureve (kapitujve) nga ana e Allahut. Nëse bëhet një lexim i tillë atëherë do të zbulohet se ky libër është një manual me udhëzime për të marrë nën kontroll me dhunë qytetin e shenjtë arab Mekën, si dhe krejt Gadishullin Arabik, të quajtur si tokë e shenjtë. Me këtë rast, Muhamedi, sipas udhëzimit të Allahut, u largua nga Meka së bashku me ithtarët e tij të paktë, për të shkuar në qytetin e Medinës, të cilin e mori nën kontroll dhe e përdori si bazë fuqie për të pushtuar më pas Mekën me forcën e armëve.
Çdo gjë që thuhet në Kuran për normat morale, ekonomike, familjare, për shtetin, shoqërinë, pozitën e femrës, është formuluar nga pikëpamja se sa i shërben kësaj fushate të Muhamedit. Synimi i Muhamedit kur përcaktonte normat e jetesës në shoqëri nuk ishte mirëqenia e çdo lloji e ithtarëve të tij dhe e familjeve të tyre, por izolimi i tyre nga pjesa tjetër e shoqërisë, vetësegregacioni, si mënyra më e mirë për t’ i kontrolluar ata, për të siguruar kohezionin e grupit. Kështu, ithtarët e Muhamedit si grup shoqëror mbaheshin në armiqësi me pjesën tjetër të shoqërisë, ashtu që në momentin e përshtatshëm t’ i përdorte si forcë kundër saj. Prej këtej normat shoqërore si mbulimi i detyruar i femrave, etj. Në thelb të Kuranit është refuzimi nga besimtari musliman i shtetit joislamik dhe shoqërisë joislamike dhe vetëizolimi i besimtarit sa të jetë e mundur më shumë prej tyre. Për këtë veçori që ka Islami, ai është një religjion që e ka dhunën në thelbin e vet. Nëse Kurani lexohet sipas rendit të shpalljes së sureve nga Allahu, atëherë do të vihet re se suret me përmbajtje paqësore i përkasin kohës kur Muhamedi kishte ende një bazë fuqie të dobët tek arabët. Prandaj ai predikonte paqen, tolerancën. Kur Muhamedi u fuqizua, nisën të shpallen sure gjithmonë e më të dhunshme.
Njëri prej bashkëbiseduesve më pyeti se ç’ mendoja për ata që djegin Kuranin. Iu përgjigja se sinqerisht jam kundër djegies së Kuranit dhe të çdo libri. Në rastin e Kuranit thjesht duhet të botohet me suret e renditura sipas shpalljes.
U ndava me bashkëbiseduesit e mi në mënyrën më normale të mundshme, por po mendoja se kundërshtimi i tyre për të pranuar logjikën e vetë fesë së tyre, i bënte ata robotë fetarë të programuar me një kod që refuzonte arsyen e thjeshtë edhe sipas parimit bazë të fesë së tyre, Allahut si autoriteti më i lartë dhe pikërisht kjo i bënte ata ushtarë të rrezikshëm të Xhihadit.
Çdo përpjekje për reformimin e Islamit ka si domosdoshmëri botimin e Kuranit sipas rendit të shpalljes së sureve. Kështu muslimanët do të ballafaqohen me të vërtetën e fesë së tyre./Kastriot Myftaraj