Në fillimi të këtij viti, saktësisht me 2 shkurt, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligji për Pagat në sektorin publik. Ky Ligj ishte temë debatesh të nxehta dhe grevash të shumta. Në shenjë pakënaqësie në grevë patën hyrë punëtorët e arsimit, punëtorët shëndetësor, ata të administratës dhe të institucioneve të tjera publike. E ky Ligj do të hyjë në fuqi fiks pas dy muajve. Por, kush përfiton e kush humb nga ai? Numri i punëtorëve që paguhen nga buxheti i Kosovës është rreth 82 mijë dhe paga mesatare për vitin 2018 ishte 573 euro.
Pas debateve dhe grevave të shumta nga ana e sindikatave, deputetët e legjislaturës së fundit të Kuvendit të Kosovës në muajin shkurt të këtij viti, kishin miratuar Ligjin për Pagat në sektorin publik. Ky Ligji pritet të rregullojë pagesën e të punësuarve që marrin paga nga buxheti i shtetit, ku koeficienti më i lartë është 10 dhe më i ulëti është 1 dhe vlera monetare e koeficientit për vitin e parë do të jetë 239 euro.
Sipas afateve të parapara në Ligj, nga muaji dhjetor i këtij vitit, punëtorët e sektorit publik pritet të marrin pagat me rritje. “Vlera monetare e koeficientit për vitin e parë të zbatimit të këtij Ligji do të jetë dyqind e tridhjetë e nëntë (239) euro. Për vitet e tjera buxhetore, vlera monetare e koeficientit përcaktohet me Ligjin vjetor të Buxhetit”, thuhet në nenin 23 të Ligjit, i cili përcakton vlerën e koeficientit dhe fondet për shtesa. Në bazë të Ligjit, presidenti i Kosovës pritet ta ketë pagën më të lartë dhe do të paguhet sipas koeficientit 10, deri sa kryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese do të paguhen sipas koeficientit 9.
Sipas koeficientit, presidenti i Republikës do ta ketë pagën 2,390 euro nga 2,672 euro që është paguar deri më tani, ndërsa kryetari i Kuvendit do të ketë pagën 2,151 apo 404 euro më pak se paga aktuale. Të njëjtën pagë prej 2,151 euro do ta ketë edhe kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese nga 2,950 euro përkatësisht 3,108 euro që janë paguar aktualisht. Për sa i përket pagës së zëvendëskryeministrit, ai do të paguhet 2,031 euro nga 2,500 euro që është paguar deri më tani. Po ashtu, paga e një ministri sipas Ligjit për Pagat do të jetë 1,912 euro që do të jetë një zbritje page prej 88 euro. Pagë të njëjtë do të merr edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, kryetari i Kryeqytetit, kryetari i Gjykatës Supreme, Kryeprokurori i Shtetit, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kryetari i Akademisë së Shkencave, Avokati i Popullit dhe Auditori i Përgjithshëm i Kosovës.
Ligji thotë se shefi i Kuvendit, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, kryeprokurori dhe kryetari i Gjykatës Supreme do të paguhen edhe pesë vite pasi të largohen nga pozitat e tyre. Ata do të marrin 70 për qind të pagës së fundit, në institucionin ku kanë vepruar dhe veç kësaj ata do të përfitojnë edhe një asistent, vozitës dhe veturë zyrtare të cilën do të përdorin. Pagë pas përfundimit të mandatit nga buxheti i shtetit do të marrin edhe deputetët. “Deputeti pas përfundimit të mandatit të rregullt apo para kohe, i cili nuk realizon asnjë të hyrë nga buxheti i shtetit ka të drejtën e kompensimit kalimtar prej një vit, në vlerë 70 për qind të pagës së fundit që e kanë marrë”, thuhet në Ligjin për Paga.
Ministrat dhe kryetarët e komunës do të marrin 70 për qind të pagës edhe pas përfundimit të mandatit.
Zhurma më e madhe në lidhje me përfitimet pas largimit nga detyra, ishte bërë për zëvendësministrat dhe ata do të paguhen gjashtë muaj pas përfundimit të mandatit dhe të gjitha këto përfitime nuk do të bëhen në disa raste, që janë të specifikuara në Ligj.
Zëvendësministri i cili pas përfundimit të mandatit nuk realizon asnjë të hyrë nga buxheti i shtetit, ka të drejtën e kompensimit kalimtar për gjashtë muaj në vlerë prej 70 për qind të pagës bazë të fundit, në institucionin në të cilin ka bartur funksionin. Përfitimi sipas këtij neni nuk paguhet nëse funksionari: jep dorëheqje nga funksioni. Shkarkohet nga funksioni për shkelje ligjore. Pas përfundimit të mandatit ushtron ndonjë funksion për të cilin paguhet nga Buxheti i Kosovës. Ose nëse me vendim të formës së prerë nga Gjykata është shpallur fajtor për ndonjë vepër penale gjatë kohës që ka bartur funksionin”.
Hamza: Me Ligjin për Paga do të ketë edhe ulje edhe rritje të pagave
Ministri i Financave, Bedri Hamza ka treguar se kush do të përfitoi nga ky ligj dhe si do të zbatohet ai. Buxheti i Kosovës për këtë vit është 2,3 miliardë euro. Nga kjo shumë, rreth 616 milionë euro janë paraparë për kategorinë paga, por në këtë shumë nuk janë llogaritur ndryshimet që kanë ndodhur pas miratimit të Ligjit për paga.
“Ligji për Paga do të nis së zbatuari në muajin dhjetor të vitit 2019”, kishte thënë Hamza në një deklarim për Monitor.al. Ai tutje ka treguar se me Ligjin për Paga a do të ketë edhe ulje apo edhe rritje të pagave. “Çdo organizatë buxhetore tani i ka të dhënat se si do të ndikoje tek stafi i asaj organizate buxhetore. Pozitive është se në Kosovë për herë të parë çështja e pagave po rregullohet me ligj. Unë personalisht besoj se një shumicë absolute e të punësuarave janë trajtuar në mënyrë shumë korrekte, pa dyshim që ekziston”.
I pari i financave ka bërë me dije se me Ligjin e Pagave nuk do të do të lejohet që të ketë efekt në uljen e shpenzimeve kapitale. “Kur jemi te Ligji i pagave nuk do të lejojmë që të ketë efekt në uljen e shpenzimeve kapitale për arsye se do të marrim të gjitha masat e mundshme që ta menaxhojmë implementimin e Ligjit për paga pa i cenuar shpenzimet kapitale. Kosova brenda strukturës së vetë të Buxhetit ka dhe ruan nivelin më të lartë të shpenzimeve kapitale në krahasim me vendet e rajonit, dhe ky është një sinjal shumë i mirë për zhvillimin ekonomik dhe besoj se edhe në të ardhmen pavarësisht se kush do të jetë Ministër i Financave duhet ta ruaj këtë strukturë”.
Rreth 82 mijë punëtorë në sektorin publik
Numri i punëtorëve që paguhen nga buxheti i Kosovës është rreth 82 mijë dhe paga mesatare në sektorin publik, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për vitin 2018 ishte 573 euro.
Kurse në sektorin privat, që llogaritet të ketë rreth 250 mijë punëtorë, 410 euro është paga mesatare. “Paga mesatare bruto në sektorin publik në vitin 2012 ishte 407 euro, derisa në vitin 2018 ishte 573 euro, që është një rritje për 166 euro ose 40.8 për qind. Kurse, paga mesatare neto nga 353 euro, sa ishte në vitin 2012 u rrit në 509 euro apo një rritje prej 156 eurosh ose 44.1 për qind. Sektori privat kishte një pagë bruto mesatare prej 367 eurosh, në vitin 2012, ndërsa në vitin 2018 ishte rritur në 401 euro, një rritje prej 34 eurosh ose 9.3 për qind. Derisa, paga neto nga 333 euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 364 euro, një rritje prej 31 eurosh ose 9.3 për qind”, thuhet në raportin mbi nivelin e pagave të prezantuar nga ASK.
Lidhur më nivelin e pagës minimale, një punëtor në Kosovë që është i moshës nën 35 vjeç paguhet me 130 euro, kurse ata që janë mbi këtë moshë paguhen me 170 euro. Kjo pagë nuk ka ndryshuar qysh nga viti 2011, atëherë kur ishte vendosur për këtë nivel. Mirëpo, në muajin prill të 2019-së, PSD kishte propozuar që paga minimale të rritet me 250 euro. Në fillimi të këtij viti, saktësisht me 2 shkurt, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për Pagat në sektorin publik. Ndryshe, Projektligji për Paga ishte temë debatesh të nxehta dhe grevash të shumta. Në shenjë pakënaqësie me këtë Projektligj, për tri javë rresht kanë qenë në grevë punëtorët e arsimit në të gjitha nivelet e arsimit publik në Kosovë. Në grevë hynë edhe punëtorët shëndetësor, ata të administratës dhe të institucioneve të tjera publike.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pati deklaruar se kjo është një fitore e drejtësisë në paga, dhe Ligjin e ka quajtur hap historik të Kosovës. Po ashtu, Veseli ka thënë se pagat do të rriten për shumicën e punëtorëve në sektorin publik. Ndërkaq partitë opozitare kanë vlerësuar se ky ligj me mos votimin e amendamenteve të propozuara është “masakruar”./Monitor