Armando Broja është padiskutim njeriu i momentit në Premier League, me skuadrën e Southampton si dhe futbollisti shqiptar më i komentuar.
Shumë skuadra tashmë janë vënë në gjurmët e sulmuesit kuqezi, me Chelsea dhe Southampton që kanë një çështje për të zgjidhur se cila do të jetë e ardhmja e ndritur e “xhevahirit” shqiptar.
Familjarët padiskutim janë një mbështetje e madhe për Brojën, dhe nëna e sulmuesit shqiptar është personi më i rëndësishëm për Brojën. Në një postim në rrjetet sociale para disa ditësh me rastin e ditëlindjes së Blerina Brojës, nëna e Armandos, ky i fundit do të shkruante: “Pas çdo burri të suksesshëm, qëndron gjithmonë një grua e fortë”.
Në një intervistë të zhvilluar nga gazetarja Manjola Arizaj (Zeka), nëna e Armandos, Blerina ka treguar shumëçka për djalin e saj, i cili padiksutim është ylli më i ri që po shkëlqen në Premier League.
Blerina, a je lodhur pas Armandit? Sepse ndonjëherë edhe vetë futbollistët lodhen? A je mërzitur ndonjëherë?
Mbas futbollit kurrë, në veçanti mbas Armandit absolutisht JO (qesh)! Sepse më jep një kënaqësi kur e shof duke luajtur futboll sa nuk e shpreh dot me fjalë!
Vazhdon e ndjek në çdo ndeshje? Ke munguar ndonjëherë? Po në Hollandë me Viteshen ke lënë ndonjë ndeshje pa parë?
Normalisht që e kam ndjekur dhe e ndjek çdo ndeshje, na është bërë pjesë e jetës tashmë! Nuk ma merr mendja që mund të kem munguar ndonjë ndeshje pa pas ndonjë arsye të fortë. Në Hollandë normale qe e kam ndjek, përveç kohës së Covidiit që nuk lejoheshim në stadium, por prapë e shifja në televizor nga banesa e Armandos në Hollandë!
Besoj këto kohë që Armando është në gojën e çdo tifozi të Shqipërisë, a ndihesh e përmbushur në përkushtimin tënd?
Si çdo prind normale që ndihem e përmbushur, kur e shef fëmijën tënd që ka realizuar punën dhe mundin e shumë viteve sakrificë, jo vetëm të tijën, por të të gjithë familjes! E theksoj me të madhe se asnjë fëmijë nuk mund ta realizojë punën dhe ëndrrën e tij (saj) nëse nuk ka familjen pas!
Le ta njohim pak Armandin nga sytë e tu. Mos e mbaj shumë me hatër (hahahha). Çfarë djali është? Pra jashtë fushës së futbollit?
Tani, të flas për Armandon si djalë nuk e kam të vështirë, por unë kam edhe 2 vajza dhe si për çdo prind fëmijët duhen të gjithë njëlloj! Por tani meqë po më pyet për Armandon, mund të them me pak fjalë shkurt dhe shqip është i mrekullueshëm, (nuk dua ta mbaj me hatër, ashtu siç the edhe ti). Por të pyesësh çdo njeri që e njef Armandon që të vogël, është po i njëjti djalë. Unë I kam njësoj të tre fëmijët sigurisht, por Armando është shoku im më i mirë. Është djali që çdo prind do të kishte dëshiruar ta kishte. Sigurisht është shoku im më I mirë, ndërsa vajzat janë shoqet e mia më të mira. I dua fort.
Dhe tani pak thashetheme nënash. Ka ndonjë të dashur, apo vajzat e Shqipërisë t’i kërkojnë miqësi në FB?
Për jetën e tij personale nuk dua të flas, sepse ajo i përket vetëm atij. Por momentin që Armando do zgjedh vajzën që do të ketë përkrah, unë e mbështes vendimin e tij si çdo vendim tjetër që ka marrë deri tani! Dhe sa për Facebook, Armando nuk ka një të tillë. Dua ta theksoj këtë, Armando nuk ka FB!
Më thuaj momentin më të vështirë tëndin, por edhe të Xhilit (bashkëshorti, babai I Armandos) me Armandon?
Tani, në kaq vite mbas futbollit është normale që ndihem në siklet çdo ndeshje, pas çdo ndërhyrje të keqe që mund të bëjnë ndaj Armandos, për vet pozicionin që ka si sulmues, sepse do të kesh gjithmonë mbrojtësat që do të bëjnë të pamundurën për ndalimin e tij për të mos shënuar Gol! Por momenti më i vështirë për mua si nënë, deri tani, ma merr mendja edhe për Xhilin, është momenti kur ka qenë në U13 tek Chelsea. Ishte ndeshje në shtëpi dhe Armandos iu bë një ndërhyrje e tillë e keqe sa për një çast menduam më të keqen (O Zot, edhe tani që e kujtoj atë moment, më dridhet trupi). Pa marrë parasysh rregulloren e futbollit, të cilën e denim shumë mirë, se për asnjë arsye nuk mundesh të hysh në fushë pa miratimin e arbitrit, unë hyra në fushë në të njëjtën kohë me mjekët, pa pyetur fare për rregulloren. Ishte ndjesia e nënës që më drejtonte në ato momente, se duhet të isha pranë tij në ato momente. Shyqyr Zotit, çdo gjë kaloi pa asnjë pasojë.
Nuk dua të të pyes për mendimin e djalit se e di që e shfrytëzojnë mediat për lajm, por ti vetë ku do të dëshiroje që të luante, pasi ai momentalisht ka shumë oferta?
Dua të them që jemi mësuar ta shofim gjithmonë duke luajtur në fushë (jo të qëndrojë në stol, sepse edhe raste të tilla do të ketë në karrierë, normalisht). Mendoj është me shumë rëndesi që kudo të shkojë Armando të luajë në fushë, sepse për një lojtar kjo ka një rëndësi të madhe! Prandaj çdo vendim që të marrë Armando do të jetë edhe vendimi ynë si familje. Për momentin po bën shumë mirë. Kjo ka rëndësi mbi të gjitha!
Nuk dua të të lodh më shumë, vetëm më thuaj, si është të jesh nëna e djalit që të gjithë shqiptarët e mbështesin e përkrahin, e simpatizojnë?
Më emocionove shumë me këtë pyetje! Ti je prind vetë edhe më kupton çfarë rëndësie ka fëmija te prindi. Nuk mund ta shpreh me fjalë, është një emocion i paimagjinuar kur shikon që çdo njeri pa përjashtim ta do e ta simpatizon fëmijën tënd. Mallëngjehesh me vete teksa mendon se mundi ynë si familje u realizua. Imagjino, në çdo ndeshje që shkojmë, nuk ka rëndësi nëse ndeshja është në shtëpi, apo jashtë, kur shof simpatizantët me flamurin shqiptar, më bëhet zemra mal që mbështesin Armandon. Dhe të mendosh që nuk po luan kombëtarja jonë, por po luan Armando në Premier Leaguen Angleze, pak rëndësi ka ekipi! Unë si nënë i falënderoj të gjithë shqiptarët, anë e mbanë Botës për mbështetjen që i japin Armandos! E them me plot gojën, jemi krenarë si familje për arritjet e djalit tonë deri më tani. Me punë, mund, përkushtim e disiplinë arrihet çdo gjë!
E fundit se ti e di që nuk mund ta lë pa përmendur. Kur do shkojmë në Malësi të Madhe së bashku me Armandin se besoj do e presin ashtu si dinë vetë malsorët?
Edhe pse jetojmë larg vendit tonë, kurrë për asnjë moment nuk e harrojmë vendin ku u lindëm e u rritëm. Fëmijët tanë, pavarësisht se kanë lindur në Angi, nuk e harrojnë që kanë gjak shqiptari dhe këtë Armando e ka shprehur me të madhe gjithmonë duke thënë jam nga Kamica e Malësisë së Madhe (qesh). Normalisht që në momentin e parë që Armando të jetë më i lirshëm nga puna e tij dhe angazhimet e tij, vizita e parë do të jetë në vendlindjen e mamit, babit dhe tënden gjithashtu (qesh)./ TemA