Në orën 14:00, pritet të dalin rezultatet për 90 mostra të pacientëve të dyshuar se janë të prekur me koronavirus.
Siç raporton Express, në mesin e këtyre personave, ka edhe figura publike.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se do të mbajë konferencë për media në orën 12:00, ku do të njoftojë për më te rejat rreth koronavirusit.
Ndryshe, dje rreth orës 17 e 30 janë konfirmuar dy rastet e para me koronavirus në Kosovë.
Lajmi është bërë i ditur nga ministri i shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë të jashtëzakonshme.
Sipas ministrit Arben Vitia, bëhet fjalë për një vajzë të moshës 20-vjeçare, shtetase e Italisë, dhe një burrë të moshës 77-vjeçare nga Komuna e Vitisë.
Në konferencën ku u konfirmuan këto dy raste, kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos i shtrëngojnë duart me njëri-tjetrin, të qëndrojnë mbi 1 metër larg kur takohen dhe që t’i pastrojnë duart me ujë të ngrohtë mbi 30 sekonda.
“Parandalimi është gjithcka. Le ta ruajmë veten dhe njëri-tjetrin që dy rastet e konfirmuara të mos shtohen. Të bëjmë kujdes maksimal që të mos iu bashkangjitemi vendeve të tjera që po raportojnë për mortalitet”, ka thënë Kurti në konferencë./Express