Nga Nebih Bushaj
Si vend që po ndërmerr reforma të thella, në të gjitha fushat e jetës, nuk do të mbetej pas as pjesa e ndihmës ekonomike. Aq bukur e ka qendisur qeveria, sa të gjithë ata që njoh e që banojnë jashtë po tundohen të kthehen sërish në atdhe, pasi atje ku jetojnë nuk u pëlqen mënyra sesi qeveritë e vendeve ku banojnë i trajtojnë me ndihmë ekonomike.
Aq mirë të trajtojnë në këtë vend të bekuar me (mos)ndihmë sa ç’të thuash! Të vinë në shtëpi për të të respektuar. Të shohin shtëpinë, pajisjet, lopët, dhitë, pulat, minjtë, buburecat, bakteret. Normale kjo, se për të mirën tënde e kanë. Nuk është si andej në Europë. Pse, trajtohet njeriu me ndihmë ekonomike sikur të ketë televizor? Qesharake! Të prapambetur si vendet europiane jemi ne? Madje nuk e kuptoj, pse ngulin këmbë ta integrojmë Shqipërinë në BE! Jo ore, jo! Më e mira është ta derivojmë BE-në në Shqipëri. Posi, në Shqipëri. Të marrin shembull ata, sesi ta presin ndihmën ekonomike, se ke makinë të parkuar në oborr prej vitesh, pasi nuk të del as taksën ta paguash.
Të marrin shembull, sesi t’i numërojnë edhe teshat, po pate për shembull një palë brekë më shumë se ç’parashikon ligji për (mos)ndihmën ekonomike, shkruaje në akull, se do trajtohesh. Po pate telefon, jo e jo. Po pate lopë? No way! Se lopa të bën pasanik. Po po, zengjin fare të bën. Turp që s’u vjen madje atyre që kanë një qyqe lopë për t’ju dhënë fëmijëve një gotë qumësht e që kërkojnë 1800 lekë për frymë nga (mos)ndihma jonë e lavdishme!
Ku punonjësi i zyrës ta çan kokën që ta plotësosh fomularin si thotë ai, pasi kështu fitohet xhanëm, ndryshe s’ta jep njeri. E në fund s’e merr që s’e merr.
Edhe po e more t’i sjell inspektorët në shtëpi për të të “respektuar”, për të verifikuar deri edhe numrin e baktereve të shtëpisë madje. Se pushteti ia ka dhënë të drejtën që në fund fare ai jep mendimin e tij të vyer, vlerësimin se sa i besueshëm je. E po qe se atij s’ja mbush synë për ta marrë t’i sjell për vizitë. Po, po! Ma tregoi me krenari zotëria i zyrës së (mos)ndihmës në njësinë administrative ku banoj.
Isha me një të afërm, kur po aplikonte për ndihmë, po ç’të shihje! Zotëria që plotësonte formularin nuk pranonte ta shënonte atë që thoshte djali në fjalë me argumentin se sistemi është i tillë e nuk pranon ndryshe.
E kishte për të mirën e djalit, pasi vërtetë dëshironte që djali ta fitonte ndihmën. Ndërkohë më përpara i kishte kërkuar djalit që të regjistrohej tek zyra e punës si i papunë, megjithëse djali i kishte thënë që është student. Zotëria kishte ngulur këmbë që të vepronte ashtu, pasi përndryshe nuk do ta fitonte ndihmën.
Kur djali kish shkuar te zyra e punës i kishin thënë që me status studenti nuk ke nevojë të regjistrohesh si i papunë. E kur djali i tregoi çfarë i kishin thënë pranoi ta bënte aplikimin, por gjithmonë me paralajmërimin se nuk do ta fitojë.
Pa u zgjatur, pasi u lodh zotëria pranoi të shkruante atë që djali kërkoi. Edhe në fund fare na tregoi të bukurën e sistemit të ri, sekretin. “Këtu më kanë lënë hapësirë të shpreh mendimin tim. Jap vlerësimin se sa i besueshëm është personi që kërkon (mos)ndihmën. Për ty nuk po shënoj gjë, pasi e di që vërtetë duhet të trajtohesh.”
Kur doli përgjigja? Negative! Me siguri, ngaqë zotëria “nuk kishte shënuar gjë”…
Parantezë (Me këtë sistem, i është lënë në dorë një mundësi për korrupsion zyrtarëve të këtij shërbimi të administratës. Secili nga ata mundet fare thjeshtë të shënojë në fund të çdo aplikimi si person jo i besueshëm e t’ja heqë mundësinë për ndihmë, paçka nëse e meriton apo jo. Pastaj nga ana tjetër, dikush që s’e meriton përfitimin e ndihmës mundet fare thjeshtë t’i ofrojë rryshfet zotërisë që ky të mos të shënojë gjë e kështu ta marrë ndihmën).