Nga Çapajev Gjokutaj
Mos i qorto të moshuarit. Aq më pak të lejohet t’u bësh gjyq: pse bëre atë e s’bëre këtë, pse thua ashtu e jo kështu.
Plaku e plaka mund të kenë më pak informacion të ri sesa ti, por kanë përvojë me thes dhe i njohin burgjitë e kësaj jete më shumë se ti dhe smartphon-i yt.
Ka edhe një arsye më të thellë, më humane që të grish të jesh i butë dhe mirëkuptues me të moshuarit: vetëqortimet dhe autogjyqet i kanë me shumicë brenda vetes. Zgjasin nga mëngjesi në darkë, madje shpesh s’u shqiten edhe në ëndrra.
Ky vetëqortim s’është huq. Ngjan të jetë mekanizëm psikologjik. I ndihmon që të zhvleftësojnë veten. Ashtu të vetëzhvleftësuar e kanë më të lehtë ta pranojnë natyrshëm, pa ankth e pa tmerr, vdekjen që u qaset përditë e më afër.
Mendohu dy herë përpara se të qortosh të moshuarin.
( Nga cikli ‘Kioska e këshillave’ )