Mbrëmjen e djeshme një lajm i madh erdhi nga Anglia për sulmuesin e Kombëtares sonë, Armando Broja. 20-vjeçari rinovoi kontratën me ekipin e “Bluve të Londrës” deri në vitin 2028 me përmirësim të kushteve financiare, duke dëshmuar se klubi beson fort tek ai.
Pas këtij hapi të madh, Broja tregon të gjitha emocionet me anë të një videoje të publikuar nga klubi në rrjetet sociale. Broja tregon se idhulli i tij është Didier Drogba dhe kujton momentin kur qëndronte me të pikërisht aty ku po xhironte videon.
Ai gjithashtu kujton kohën kur nisi hapat e parë te Chelsea dhe kalonte në një rrugë që ndante akademinë dhe ekipin e parë.
“Ishin aq afër, por edhe aq larg sa i përket arritjes së atij niveli.”
Në një moment ylli “kuqezi” kujton edhe momentin e parë kur u bashkua me ekipin e parë, duke thënë se i dukej e pabesueshme që në ato momente po stërvitej me ata yje që i kishte parë vetëm në TV.
“Kujtoj kur erdha për herë të parë të stërvitem te kjo fusha këtu (e ekipit të parë) dhe ishte një moment i pabesueshëm për mua që të shihja të gjithë lojtarët që dilnin nga dhomat e zhveshjeve dhe unë po qëndroja aty. ‘Uau, unë i kam parë të gjithë këta djem në TV dhe tani të stërvitem me ta…’”.