Nga Lorenc Vangjeli
Ka një ndarje të padurueshme në shoqërinë shqiptare. Një ndarje që nuk është e re. Që nuk filloi dje dhe as nuk mbaron nesër. Ndarja me thikë e shpatë mes të mirës dhe të keqes, mes të vërtetës absolute dhe gënjeshtrës po të tillë, mes të bardhës dhe të zezës, nuk sheh kërrkund nuanca. Nuk sheh kërkund urë, por vetëm brigje të ndara. Debati për reformën në drejtësi nuk po i shpëton këtij mekanizmi dhe kësaj forme mekanike të gjykimit. Madje, ai ka lindur që në momentin e parë, kur kjo mazhorancë, dy vjet e kusur më parë, në janar 2014, konsideroi se reforma në drejtësi ishte një nga dy prioritetet kryesore të mandatit të saj qeverisës. Që në momentin e parë, qoftë për shkak të traditës, qoftë për shkak të intuitës, e majta dhe e djathta u grupuan në llogoret e zakonshme: çfarë bën tjetri është e gabuar!
Siç kanë bërë pothuaj pa asnjë përjashtim për t’u mbajtur mend në çerek shekulli politikëbërje dëshpëruese pluraliste në vend. Siç ka ndodhur në Tiranë edhe në tre çerekët e tjerë të shekullit, me mbretërorë e komunistë, që urrenin dialogun, që vrisnin mikun për të shpikur prej tij një armik përballë, që lulëzonin ndarjen dhe nuk pranonin bashkëpunimin, që dashuronin ultimatumin dhe urrenin kompromisin, që shihnin profetin tek vetja dhe xhahilin tek kundërshtari. Shpesh, pamjen groteske të asaj që ndodh në Tiranë e jep penelata e shpejtë e një vizitori të huaj. Ministri i jashtëm gjerman, për të marrë një shembull të fundit, tha disa të vërteta të padurueshme në vizitën e tij. Të vërteta tërësisht të thjeshta si Veza e Kolombit, në një vend që vjen rrotull sikur po kërkon të rishpikë zjarrin apo rrotën. Ministri Steinmeier tha pak a shumë se mund të ndodhë që shumica të paguajë kosto për reformat dhe jo të marrë vetëm falenderime.
Se opozita nuk mund të fitojë gjithmonë vetëm duke refuzuar. “Ka situate, në të cilat një qeveri duhet të marrë rrisqet përkatëse për ta çuar vendin përpara, por e njëjta gjë vlen dhe për opozitën!”, thotë ministri Steinmeier, sipas të cilit një gjë e tillë afron avantazhe afatgjata për të mirën e vendit.
Deklarime të tilla mund të bëheshin në Tiranë edhe në vitin 1992. Nuk do të ndryshonte shumë në thelb nëse bëheshin në 1994ën, 1999ën, 2002ën, 2007ën (vite të zgjedhur rastësisht në kalendar), apo kurdoherë tjetër në Tiranë. Në vitet që ndryshojnë, thelbi i politikës në Tiranë ka mbetur i njëjtë në mënyrën sesi shihet dhe trajtohet kundërshtari. Më pas, sipas shembullit të politikës, edhe gjithë shoqëria ndahet dhe radikalizohet sipas sindromës së Kainit dhe Abelit, të mirit dhe të keqit, të vërtetës dhe të gënjeshtrës, profetit dhe xhahilit. E thënë në anglishten e sotme politike të Uashingtonit, të Brukselit dhe së fundi, edhe të Berlinit, reforma në drejtësi duhet miratuar si kërkesë dhe nevojë e publikut shqiptar dhe si një kusht për të nesërmen evropiane të vendit. Dhe duke ditur destinacionin, është mëkat të qëndrohet larg tij për shkak të sherrit për rrugët që duhen ndjekur për të mbërritur aty. Sepse nëse nuk mbërrihet në këtë finish të përkohshëm dhe stacion të përkohshëm të evolucionit të shoqërisë shqiptare, nuk ka rëndësi kush e ka fajin. I kujt është mëkati. Kush është i miri apo i keqi. Kush është Abeli e kush është Kaini. E rëndësishme është që vendi vazhdon të jetë i mbërthyer në sindromën e përjashtimit. Eshtë peng mes të vërtetës dhe të gënjeshtrës pa nuanca mes tyre. Pa ditur se së paku në politikë, shpesh ka shumë më shumë se një të vërtetë! Njëra nga të cilat e konsideron si të padurueshme ndarjen dhe si të padurueshëm ndarësit e shoqërisë shqiptare. Që për fat të keq nuk kanë munguar kurrë.
/javanews.al/