Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Mirë që vjedhin votat, por kanë dhe kllounë që i mbrojnë

Nga 27-shi 0

E gjithë kjo historia e përgjimeve e ka dhe anën e saj qesharake. Më shumë se ai djali që do fejohej, prandaj shiste katër vota për 20 000 lekë, qesharakë janë ata që po mundohen të bëjnë alibinë e Rilindjes.

Fjala vjen, sipas tyre është normale që në fushatë të bëhen këto biseda, punë e madhe se ligji e ndalon administratën të përfshihet në fushatë. Është normale që një zyrtar policie të kanosë mësuesit me “rob shpie” apo një deputet t’i thotë një drejtori shkolle që nëse nuk deklaron votën e gjithë familjes të hënën fluturon. Është normale që një ministër të kapërcejë strukturat shtetërore dhe të çojë një tufë me “djem problematikë” që të “kujdesen” për “mbarëvajtjen” e punëve.

Dhe në fund është normale që kryeministri të kërkojë nga i deleguari i tij direkt objektivin.

Këta të gjithë kanë kryer shkelje të hapur të ligjit zgjedhor, kanë intimiduar, blerë vota dhe sipas ligjit të shkruar “e zeza mbi të bardhë” nga vetë rilindasit rrezikojnë burg deri në tetë vjet.

Këtu na hyn dhe një pronar mediatik italo-shqiptar, i cili e ka ndarë mendjen të ushqejë Shqipërinë me kllounatë në kurriz të faqes së vet qose. Si fillim, porositi një sondazh që e çon Partinë Socialiste te 58 për qind në këtë ditë halli. Tani, na jep shembullin e Puglias, ku mafia ka ndërhyrë në zgjedhje, por partitë politike e atjeshme nuk ndjehen, se ia kanë lënë në dorë drejtësisë.

Ky italo-shqiptari nga Leçe, e di mirë çka po thotë, megjithëse bën shejtan-budallain. Krahason Italinë me Shqipërinë. Meqë mban dy pasaporta me shumë meritë le të bëjë krahasimin e njërës me tjetrën. Kur udhëton kë përdor nga të dyja? Në sa vende hyn me njërën dhe në sa me tjetrën?

Pasi ta bëjë këtë le t’i hedhë një sy sistemit të drejtësisë duke e krahasuar në dy brigjet e Adriatikut? Në Italinë fqinje ka gjykata? Punojnë të gjitha shkallët? Prokuroria ka hallin e nxjerrjes së sekretit hetimor apo dosjeve me përgjime? Ai i rrinë këto dosje sot e tre vjet mbi tavolinë?

Nëse do të jetë ndryshe dhe padyshim që është ndryshe, pasi në Itali funksionon sistemi i drejtësisë, politika patjetër që do presë fjalën e saj, media pret fjalën e saj, sepse kështu ndodhi edhe me bosin e “Gazzetta del mezzogiorno”, ku ky njeri ka qenë drejtor.

Por, këtu është normale që një pronar gazete dhe televizioni të bëjë avokatin e qeverisë, kur ajo vjedh, përçudnon, dhunon qytetarët e vetë, sepse ndryshe nga Italia, me këtë farë qeverie fiton para, hap aktivitete shumë fitimprurëse extramediatike, përfiton reklama, benefite dhe nuk të nxihet faqja ta marrësh në mbrojtje një paçavure duke sjellë njoftime pulieze.

Tek e fundit, gaztorët e oborrit këtë detyrë kishin; të zgërdhinin monarkët që u ndotnin fytyrën.

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej