Presidenti i Republikës, Ilir Meta, mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Kosovës me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Gjatë pritje Presidenti Meta mbajti edhe një fjalë përshëndetëse, ku vlerësoi progresin e jashtëzakonshëm që ka bërë Kosova në këto 10 vjet dhe kthimin në një faktor stabiliteti për rajonin.
Fjala e plotë e Presidentit Meta
Është një kënaqësi e jashtëzakonshme që sot festojmë 10-vjetorin e shtetit të Kosovës, të shtetit më të ri të Evropës, të një shteti që ka bërë një progres të jashtëzakonshëm në këto 10 vjet dhe të një shteti që ka padyshim një të ardhme akoma më të fortë Evropiane, pas mëngjesit të sotëm dhe deklaratës së Presidentit Thaçi dhe atij të Malit të Zi, Vujanoviç për zgjidhjen e çështjes së Demarkacionit e cila do ta përshpejtojë perspektivën evropiane të Kosovës dhe liberalizimin e vizave për të gjithë qytetarët e saj.
Kemi shumë arsye për të festuar, për të gëzuar për këtë sukses të jashtëzakonshëm për këtë arritje të madhe të popullit të Kosovës, të qytetarëve të Kosovës dhe të shtetit të Kosovës që rritet dhe forcohet çdo ditë si faktor stabilitetit në rajon. Kemi shumë arsye sot për t’u përkulur me nderim përpara veprës dhe vizionit të Presidentit të përjetshëm të Kosovës, Ibrahim Rugova, përpara sakrificave sublime të Adem Jasharit dhe të gjithë atyre që u sakrifikuan për lirinë e Kosovës.
Shprehim mirënjohjen të gjithë aleatëve tanë, duke filluar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat nën udhëheqjen e Presidentit Clinton vendosën në mbrëmjen e 24 marsit të vitit 1999 për t’i dhënë fund barbarisë së fundit të kasapit më të madh që ka njohur Ballkani, Sllobodan Milloshevic, për të vazhduar më pas me Presidentin Bush i cili pikërisht këtu ku ne jemi sot në Tiranë gjatë vizitës së tij zyrtare tha se tani është koha për Pavarësinë e Kosovës.
Dhe sot ne shohim që Kosova ka njohje të jashtëzakonshme ndërkombëtare dhe një perspektivë të shkëlqyer si asnjëherë tjetër.
Këto ditë më bëri shumë përshtypje një vizitë e 40 vajzave të reja dhe shumë lumtura nga Kosova në Sarandë. Kjo më bëri shumë përshtypje sepse në prill të vitit 99 kur sapo filloi eksodi i jashtëzakonshëm i vëllezërve tanë nga Kosova në Shqipëri për shkak të gjenocidit mbaj mend bashkë me Ministren e Brendshme të Italisë në atë kohë, takojmë një grup prej tyre dhe një vajzë e vogël qante mënjanë pa pushim dhe nuk ndalonte për asnjë moment së qari. Sepse i kishte humbur prindërit e saj dhe të gjithë njerëzit e dashur. Dhe kur pyetëm ata të cilët ishin aty pasi na dhanë këtë shpjegim na thanë që vajza e kishte emrin Saranda. Sepse ajo ishte aq e pikëlluar dhe aq e tronditur sa nuk komunikonte dot. Dhe para dy ditësh ishte kënaqësi që pashë 40 Saranda në qytetin tonë Sarandë, të cilat kishin ardhur në prag të 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës të qeshura dhe të lumtura krejt ndryshe nga Saranda e vogël që unë pashë dekada më parë.
Gjërat kanë ndryshuar shumë pavarësisht se asnjëherë nuk kënaqemi me arritjet dhe kjo është pozitive sepse synojmë arritjen më pozitive. Ndaj i uroj suksese të tjera shtetit të Kosovës, popullit të Kosovës, qytetarëve të Kosovës.