Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot në një takim Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli.
Meta shprehu angazhimin e tij në mbështetje njohjesh të mëtejshme ndërkombëtare të Kosovës.
Presidenti Meta përshëndeti gatishmërinë e qeverisë se re të Kosovës për vazhdimin e dialogut me Serbinë, si një proces pa alternativë dhe në funksion të paqes në rajon.
“Procesi i Berlinit është një mundësi e mirë për të rritur bashkëpunimin rajonal dhe përshpejtuar perspektivën tonë të përbashkët evropiane”, theksoi Presidenti Meta.
Meta theksoi se Shqipëria i kushton një vëmendje parësore marrëdhënieve të NATO-s me Kosovën, ruajtjes së një pranie substanciale të KFOR-it, për garantimin e një mjedisi të sigurt jo vetëm në Kosovë por në të gjithë Rajonin.