“Nuk mund të mbyllin sytë para kësaj padrejtësie që dërrmon realisht e shpirtërisht një brez të tërë të rinjsh”
“Të thyejnë gjithë portat e shtetit shqiptar dhe jo të durojnë përgjigjet cinike të arrogantëve të ngrefosur…”
Kështu e nis mesazhin e saj për maturantët, deputetja Mesila Doda, duke shprehur mbështetjen e fortë për ata maturantë që padrejtësisht po iu mohohet e drejta e studimit. Deputetja e PDIU-së i ka bërë thirrje maturantëve dhe prindërve të tyre të vazhdojnë protestën para ministrisë, para Kuvendit dhe para kryeministrisë, deri në zgjidhjen e problemit të tyre. Ajo ka shprehur mbështetjen e saj për studentët dhe i ka bërë thirrje të gjithë deputetëve pa dallime partiake, të mbështesin studentët.
Këshillë zemre
“Maturantët dhe prindërit e tyre kanë gjithë të drejtën, më falni detyrimin, të thyejnë gjithë portat e shtetit shqiptar dhe jo të durojnë përgjigjet cinike të arrogantëve të ngrefosur. Nuk di çdo bëja po të isha prind i një fëmije që ka derdhur djersë dhe sot gjendet i pashpresë, por di që vetëm ata mund ta zgjidhin këtë lëmsh injorance e ligësie bashkë. Rrini para ministrisë, para parlamentit, para kryeministrisë derisa të merrni studimet që meritoni dhe mos u dorëzoni. Secili parlamentar duhet të shprehet pa dallim përkatësie politike, se më së pari janë prindër dhe nuk mund të mbyllin sytë para kësaj padrejtësie që dërrmon realisht e shpirtërisht një brez të tërë të rinjsh”, shkruan Doda.