Kanë dal të tjera detaje nga megaoperacioni që është zhvilluar ditën e sotme në qytetin e Elbasan, ku kanë përfunduar në pranga 8 punonjës policie të burgjeve si dhe 17 persona të dënuar që aktualisht po vuajnë dënimin.
Mësohet se një nga emrat të arrestuar është Hysni Ndreu, oficer policie.
Nga një hetim i kryer në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, është vërtetuar se në burgjet si Elbasan, Peqin dhe Korçë, me ndihmën e punonjësve të policisë, të dënuarit kanë arritur të fusin në qeli drogë, pije alkoolike, telefona dhe femra, që nuk i përkasin rrethit familjar.
Gjithashtu, mes personave të arrestuar është edhe Gazment Braka, alias “Gaxhai “, i dënuar me burg për vepra të ndryshme kriminale.
Gazmend Braka bashkë me një grup shokësh krijoi një bandë e cila në historinë e krimit shqiptar, njihet si banda e “Gaxhait”. Kjo bandë pati një strukturë të organizuar ku mbronte edhe me para banorët e fshatit Cerkovinë, dhe në këtë zonë, banda e Gaxhait nuk kryente asnjëherë ngjarje kriminale. Ndërkohë që rivalë të përjetshëm kishin bandën e lagjes Çole në Vlorë, e cila kryesohej nga Myrteza Çaushi.