Pas 34-ditësh proteste të banorëve të “Astirit”, të cilët kundërshtojnë prishjen e banesave dhe bizneseve që preken nga projekti i “Unazës së Madhe” pa u dëmshpërblyer në vlerë 100%, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për projektin.
Nisja e hetimeve vjen një natë pasi u zbulua skandali në lidhje me falsifikimiet e kompaninsë Dunwell Haberman (kompania mëmë e DH Albania), fituese e lotit të parë prej 18 milionë euro për rindërtimin e Unazës së Madhe.
“Verifikimi bëhet për veprat penale të shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, Fallsifikimi i dokumenteve, parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal, Shkelje e barazisë në tendera, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal. Prokuroria shqiptare garanton vlerësimin me objektivitet të fakteve, objekt i këtij hetimi duke kryer veprimet hetimore brenda një afati të arsyeshëm.”- thuhet zyrtarisht nga Prokuroria.
Po ashtu, sot ARRSH njoftoi se ka pezulluar ndërtimin në lotin e parë, ndërsa theksoi se është në pritje të përgjigjes nga autoritetet amerikane.