Qeveria ka nisur procedurat për prishjen e Teatrit Kombëtar dhe ky akt sipas shumicës së artistëve po bëhet në mënyrë anti-kushtetuese, duke shmangur procedurat ligjore dhe duke favorizuar një firmë private, e cila automatikisht do të bëhet përfituese e një hapësire të konsiderueshme trualli të Teatrit Kombëtar.
Pikërisht, lidhur me çështje, e cila tashmë është kthyer në kauzën e aktorëve dhe artdashësve të Teatrit Kombëtar, gazeta “Koha Jonë” ka marrë disa prononcime të tyre: PRO, apo KUNDËR shembjes së Teatrit Kombëtar? Pse dhe a do të lejoni që Opozita të bëhet pjesë e protestës suaj, në rast se i bashkohet kauzës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar nga shembja?
Arben Derhemi (aktor)
Jam kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, sepse nuk mund të ketë histori të nje qyteti pa pasur edhe histori teatri. Sidomos kur historia e këtij teatri është 73-vjeçare. Një shekullore. Është çmenduri të besosh që një artist të rrënojë vlerën historike. Arkitektë nga e gjithë bota më komunikojnë se në asnjë vend të Europës nuk do ndodhte që të mos rikonstruksionohej Teatri Kombëtar. Është çmenduri dhe ky vend nuk e meriton të ketë as këtë kryeministër dhe as të hyjë në Europë. Opozita dhe çdo qytetar rilindas dhe demokrat mund të ishte pjesë dhe promotor i shpëtimit të teatrit kombëtar. Me fjalë, me gurë, me zjarr, apo me hu… unë do të bëhem pjesë e mbrojtjes së Teatrit Kombëtar. I bëjmë thirrje kryeministrit dhe pjesës së sipërmarrësve të tërhiqen, sepse do mbahen mend si njerëzit, të cilët shkatërruan teatrin dhe ne do t’i akuzojmë brez pas brezi.
Suela Konjari (aktore)
Sigurisht që jam kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, sepse jam kundër shkatërrimit të historisë. Do të doja që, kauzës për çështjen e Teatrit t’i bashkohen të gjithë, pa dallime partiake, sepse është kauzë që i tejkalon ngjyrat dhe flamujt.
Jul Deda (aktor)
Jam totalisht kundër shembjes dhe jam pro restaurimit, apo rikualifikimit të tij. Jam kundër shembjes, sepse nuk kemi pse t’i zëvendësojmë teatrot, duke qenë se do ishte më mirë t’i shtojmë ato. Pastaj të tjerat janë çështje poltike që duan një analizë më të gjerë. Kushdo që ka dëshirë të jetë pjesë e kësaj kauze është i mirëpritur të bëhet pjesë. Unë do të jem aty.
Marin Orhanasi (aktor)
Jam kundër prishjes, nëse kjo krijon hapësirë dhe mundësi që prona publike të bëhet private. Ndërtesa nuk ofron asnjë kusht, asgjë për nga dinjiteti që duhet të ketë ky institucion. Pra, jam për një Teatër Kombëtar të ri, por pa e përdorur këtë për përfitim. Shteti ka aq para sa të ndërtojë një të ri e kjo nuk do mend shumë. Në një kohë kur dikush me dy ambulanca merr një projekt 4-vjeçar mbi 100 mln euro, për të matur tensionin dhe diabetin, a ku di unë në rrugë (që unë s’i kam parë kurrë) mendoj se është kollaj fare për të bërë një Teatër dinjitoz, siç i takon. Sa për Opozitën s’di ç’të them. Deri tani s’kam parë ndonjë reagim të fortë prej tyre. Nëse i bashkohen kauzës (pa e përdorur politikisht) pse jo, le të bëhen pjesë e saj. Por në shkatërrimin e Teatrit si institucion në të tërën e tij, kanë edhe ata faj. Siç ishte rasti kur hoqën shpërblimin e aktorëve, etj.. Keshtu që, përkrahja e tyre kam frikë se do degjenerojë në përfitim politik. Nëse nuk degjeneron jam ok. Në këtë çështje, sipas mendimit tim duhet të ngrihet i gjithë populli.
Enerjeta Jani Fuga (aktore)
Përsa i përket godinës të jetë kjo si arkitekturë, apo një e re… këtu kemi mendime të ndryshme si komunitet e nuk shoh asgjë të keqe. Unë personalisht nuk do isha kundër, të shembej e te ngrihej një Teatër Kombëtar, që të vijë vërtetë era teatër e me dinjitetin që i takon të trajtohen si artistët, ashtu dhe komuniteti. Por edhe nëse nuk prishet, të ruhet kjo sallë si muze e të shtohet me një sallë të dytë prapë është një zgjidhje. Janë shumë mënyra apo zgjidhje (por unë do isha për një të ri). Nuk mendoj se duke bërë të riun nuk respektohet komuniteti, apo vlerat e padiskutueshme që ka patur ai teatër, vlerat e të cilit kemi trashëguar dhe vazhdojmë t’i ndjekim me respekt e kënaqësi (ka shumë forma për të shprehur respektin dhe mirënjohjen tonë ndaj atyre që e krijuan këtë teatër e traditë të trashëguar). Por me mënyrën e formën, me të cilen po duan ta bëjnë me atë projekt që është prezantuar sigurisht nuk jam dakord dhe nuk pranoj në asnjë mënyrë që ai teatër të shembet e do kontribuoj me sa të mundem si aktore pa “yll” që jam, që kjo gjë të mos ndodhë. Përsa i përket opozitës, sigurisht që nuk jam dakord. Opozita e ka ditur me kohë gjendjen e teatrit dhe nuk dua që kauzën ta përdorin për interest e saj politike. Aty ishin dhe aty e kanë patur dhe fondin Grek për teatrin, me të cilin mund ta bënin, por as nuk e vunë ujin në zjarr dhe ai fond as nuk u përdor për teatrin, por për Teatrin e Operas, me qëllim që teatrin ta sillnin deri në këtë pikë, tek PPP me pretekstin që nuk ka fonde. Është e shëmtuar dhe Tirana nuk e meriton këtë. Do isha shumë e lumtur që thirrjes sonë t’i përgjigjeshin të gjithë qytetarët, por për Opozitën kursesi nuk jam dakord.
Neritan Liçaj (aktor)
Jam kundër shembjes së Teatrit Kombëtar dhe qëndrimin tim e kam shprehur që në fillim. Patjetër që do mirëpresim Opozitën dhe këdo që mbështet këtë kauzë me kryefjalë Teatrin Kombëtar. Madje edhe deputetët e Partisë Socialiste i mirëpresim, sepse ka dhe nga ata që s’duan që të prishet Teatri Kombëtar.
Genci Fuga (aktor)
Duke mos patur asnjë shenjë dialogu, nuk besoj që “kërkesat” e përfituesve, pra artistëve do të merren parasysh në ngritjen e godinës së re të Teatrit Kombëtar. Duke mos patur këto garanci, jam Kundër prishjes së godinës aktuale të Teatrit Kombëtar. Përsa i takon përfshirjes së Opozitës në këtë kauzë: kam bindjen që kemi një klasë politike që ka punuar Kundër Interesave të Teatrit e Artit Skenik në përgjithësi. Çdo implikim politik do të sillte një kundërveprim politik. Pra këto veprime “politike” nuk do të ishin në interes të qytetarit e Komunitetit Artistik. Dua të shpëtoj ç’të jetë e mundur nga hapësira e institucionet skenike. Ja, këtë “plasje kam”. Ajo ç’ka nuk ka funksionuar këto 28 vite, nuk ka qenë Arti Skenik. Ka qenë Politika.
Elma Doresi (regjisore)
Jam shprehur dikur kur ndodhi përplasja e parë për këtë gjë, ku tregova dhe mbi vështirësitë që pata unë dhe aktorët e mi në janar të vitit 2018. Unë dua një teatër të ri dhe me kushtet minimale, e dua për aktorët e mi dhe për publikun, i cili në janar u largua nga shfaqja ime për shkak të të ftohtit. Sa për politikën do kisha preferuar që artistët ta kishin mbajtur këtë nismë vetëm dhe me përkrahjen e qytetarëve, ose të publikut, siç dhe kanë pasur përherë përkrahjen e tyre.
Olta Daku
Jam kundër shembjes, të paktën derisa të jetë një projekt serioz për Teatrin Kombëtar dhe nuk do të doja kurrsesi që kjo kauzë të politizohej. Por, nëse lind nevoja e protestave për të mirën e Teatrit… mirë se të vije kushdo që të jete pro kauzës sonë.
Egla Ceno
Unë jam aktore dhe është e kuptueshme që automatikisht jam kundër prishjes së shtëpise së përbashkët të aktorëve. Sa për Opozitën, nuk ndjej të prononcohem për asgjë.