Rusia ka ushtrinë e dytë më të madhe në botë. Por, e ndihmuar nga furnizimet me armë nga Pentagoni dhe NATO, Ukraina ka arritur të rezistojë, në një qëndresë të jashtëzakonshme kundër fqinjit të saj shumë më të fuqishëm.
Sistemi kundër-ajror Stinger, është në gjendje të rrëzojë një helikopter rus; shpërthimi i zjarrtë, një tipar karakteristik i goditjes me Stinger.
“Nëse armë të tilla janë me shumicë, ato të krijojnë aftësinë të mbrosh objektet jetike dhe qytetet nga dronët dhe helikopterët që mund të sjellin trupa”, thotë Ben Hodges, ish Komandant i Ushtrisë Amerikane në Evropë.
Zyrtarët amerikanë thonë se aleatët perëndimorë kanë dërguar mijëra raketa Stinger, të cilat ndjekin dhe godasin objektivin në një lartësi prej 5 kilomentrash. Ato janë të lehta dhe të vogla për t’u mbajtur.
“Është diçka që mund ta fshehësh para se të qëllosh”, thotë gjenerali në pension.
Rusia grumbulloi mbi 190 mijë trupa rreth kufijve të Ukrainës, para se të fillonte luftën ndaj Ukrainpës që ka rreth 170 mijë trupa dhe dhjetëra mijëra rezervistë.
Zyrtarët thonë se qindra tanke luftarake ruse janë shkatërruar nga sistemi kundër-ajror Stinger.
“Janë armë që shkatërrojnë tanke dhe automjete. Ato sulmojnë bazuar në rreze infra të kuqe. Ju nuk duhet të jeni snajperist për të shënjestruar”, thotë Max Bermann nga Qendra për Progresin Amerikan.
“Ajo që e bën sistemin kaq të mirë është mbushja e raketës. Ajo është efektive sepse godet pjesën e sipërme të tankut, që është pjesa më pak e mbrojtur. Nuk kalon përmes pjesës së përparme, që është pjesa më e trashë“, shton zoti Hodges.
Zyrtarët amerikanë thonë se kanë dërguar mbi 17 mijë armë antitank për forcat ukrainase gjatë ditëve të para të luftës, duke shtuar kapacitetet mbrojtëse të vendit.
“Pasi gjuan me të, mund të ndryshosh pozicion, sepse ajo të mbron. Sulmuesi është më pak në rrezik”, thotë zoti Hodges.
Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov tha sot se çdo ngarkesë me armë në territorin ukrainas, do të ishte objektiv i goditjes nga ana e forcave ruse.
“Kjo është e qartë, prandaj po e zbatojmë këtë operacion. Qëllimi është eliminimi i çdo kërcënimi që vjen nga toka ukrainase për Federatën Ruse”, deklaroi zoti Lavrov.
Rusia ka përparësi në luftën nga ajri, përmes lëshimit të qindra raketave Iskander, me një rreze veprimi prej 500 kilometrash dhe raketave Kalibr, me një rreze veprimi deri pesë herë më të madhe.
“Rusia ka aftësinë të godasë objektiva në kufirin e Ukrainës perëndimore. Këto sisteme janë krijuar për të shkatërruar objektiva të mëdha, si pista aeroplanësh, baza dhe objekte tjera ushtarake”, thotë zoti Bergmann.
Këto raketa mund të lëshohen nga anijet ruse në det, bombarduesit në ajër, ose nga automjetetet në tokë. Ato do të ndërlikonin çdo përpjekje për të krijuar një zonë të ndalim-fluturimit mbi Ukrainën, një kërkesë e vazhdueshme e Kievit, që nuk është pranuar nga administrata Biden.
Por ekspertët thonë se këto raketa ruse mund të mbarojnë. Megjithëse Moska ka më shumë avionë lufte, presidenti Putin mund të mos i shfrytëzojë.
“Nëse avionët rusë përdoren dhe dëmtohen shumë në këtë luftë, nëse Rusia shpenzon gjithë municionin, atëherë ata ekspozohen në një konflikt të mundshëm me NATO-n”, thotë analisti Bergmann.
Rusia akuzohet për përdorim të bombave thërrmuese, bombave konvencionale, jo-preçize, që lëshohen nga ajri, si dhe armëve termobarike, pavarësisht ndalimit ndërkombëtar të përdorimit të tyre pranë popullatës civile.
“Kur ushtria ngec, ata shpesh përdorin këto taktika brutale dhe të përgjakshme. E kemi parë këtë tek ushtria ruse”, thotë zoti Bermann.
Zyrtarët thonë se trupat ruse po përballen me mungesë ushqimi dhe karburanti, si dhe rezistencë të ashpër nga ukrainasit e motivuar.
“Pas 10 ditësh rusët mund të mos jenë në gjendje të vazhdojnë atë që po bëjnë sepse kanë probleme me fuqinë njerëzore, ulje të moralit dhe dezertime. Fakti që po i kërkojnë ndihmë Kinës, dhe fakti që po u kërkojnë sirianëve të luftojnë, janë tregues se ata janë në telashe”, përfundon zoti Hoghes.
Disa njoftime thonë se Ukraina është pajisur me sistemin e mbrojtjes raketore S-300, një armë jetike që do të mundësonte goditjen në ajër të raketave ruse, para se ato të arrijnë objektivat./VOA/