Nga Ardian Muhaj
“Mbreti (Henry VIII i Anglisë) nuk do të mbajë ma asnji të huaj përveç shqiptarëve”.
Kështu shkruhej tekstualisht në letrën e 17 dhjetorit 1545 që Lordi Paget shkruante nga Kaleja (Calais) që në atë kohë ishte në duart e anglezëve, në të cilën raporton mbi vendimet e Këshillit të Shtetit anglez, ku kërkohej shprehimisht që të lirohen nga detyra të gjitha trupat e huaja në shërbimin anglez, përveç shqiptarëve.
Për ta lidhë me mjerimin tonë sot mbas 4 shekujsh e gjysë, kujtojmë se Kale ose Calais asht qyteza franceze që ndodhet në bregun përballë portit të Doverit në Angli. Sot, asht qyteza ku nis kalvari i mjerimit të qindra mijra emigrantëve shqiptarë që tentojnë kalimin me të gjitha mjetet e mënyrat drejt Anglisë.
Aty asht edhe Tuneli i La Manshit që lidh Anglinë dhe Francën. Pra, shqiptarët shkonin në Angli, Francë, Algjeri, Egjipt, Indi, Spanjë edhe para 4 shekujsh. Dallimi asht se në atë kohë kudo shkonin si zotni e njerëz të respektuar deri në atë pikë sa që shumë ballkanikë që kishin mësu dy fjalë shqip, kur mbërrinin në këto vende të largëta përpiqeshin me u paraqitë si shqiptarë (albanes, arnautë).
Respektin që ata shqiptarë gëzonin në Ballkanin, Europën e Mesdheun e asaj kohe e kishin fitu me aftësitë e cilësitë e lakmueshme individuale, shoqnore e shpirtnore. Sa mbrapa e të prapambetur jemi sot krahasuar me parardhësit tonë.
(Në foto: Janina në kohën e shqiptarëve të mëdhenj e jo inferiorë ndaj të tjerëve)