Enkelejd Alibeaj referuar raporteve ndërkombëtare ka ngritur shqetësimin sa i takon situatës me kultivimin e lëndëve narkotike në vendin tonë. Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit, Alibeaj u shpreh se kanabisi shqiptar dërgohet në Turqi dhe këmbehet me heroinë dhe kokainë. Lidhur me deklaratat e Ramës për legalizim të kanabisit për përdorim mjekësor, Alibeaj u shpreh se rezultatet e paraqitura që gjoja ishin në favor të kësaj nisme nuk përbëjnë as 20% të popullsisë.
“Kujtojmë se disa javë më parë kreu qeverisë Rama paralajmëroi se do të ndërmerrte hapa ligjore për të legalizuar kanabisin për përdorim mjekësor, sipas një të ashtuquajture “konsultim me publikun” nëpërmjet një pyetësori i cili jo vetëm që nuk ishte transparent por se dhe rezultatet e paraqitura që gjoja ishin në favor të kësaj nisme nuk përbëjnë as 20% të popullsisë. Shqipëria nën lenten e ndërkombëtarëve mbetet prodhues e furnizues i kanabisit. Këtë panoramë e sjellë dhe raporti i fundit nga Departamenti Amerikan i Shtetit “2022 International Narcotics Control Strategy Report” i cili zbuloi se “Shqipëria mbetet si vendi kryesor origjine për kultivimin e kanabisit dhe bazë lokale për kartelet e krimit të organizuar që trafikojnë sasi të mëdha të drograve të rënda të paligjshme nga vendet e origjinës për të furnizuar tregjet në vendet evropiane.” Kështu, sipas DASH, kanabisi shqiptar dërgohet në Turqi dhe këmbehet me heroinë dhe kokainë, të cilat kontrabandohen nëpër Evropë nga trafikantët shqiptarë. Gjithashtu raporti thekson se, “shtetasit shqiptarë luajnë një rol të madh në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve dhe rrjetet e krimit të organizuar, duke e bërë kësisoj Shqipërinë një element kyç i rrugës ballkanike të trafikut të drogës në Evropën Perëndimore dhe në Mbretërinë e Bashkuara. Po t’i referohemi raporti vjetor i Departamenti të Politikave Kundër Drogës pranë Zyrës së Kryeministrit Italian për Parlamentin italian, për të cilën Ministri pretendoi mbi bashkëpunimin e frytshëm, thekson se konfiskimet e kokainës ishin rritur me 60% krahasuar me të dhënat e vitit 2020 dhe se në rastet kur prejardhja u konstatua, kokaina ishte nisur edhe nga Shqipëria. Sipas të njëjtit raport, kapjet e heroinës ishin trafikuar kryesisht nga Shqipëria, ku si pjesë e rrugës ballkanike, vendi ynë trafikon pjesën më të madhe të heroinës që trafikohet çdo vit në vendet evropiane. Ky aktivitet kriminal në rritje është reflektuar edhe me arrestimet e organizatave të krimit të organizuar, ku shqiptarët renditen si kombësia e dytë pas marokenëve. Po ashtu po ti referohemi raportit, grupet e krimit të organizuar me origjinë shqiptare janë fuqizuar së tepërmi në vitet e fundit aq sa vendet partnere, Europiane e më gjerë, po e shohin me shqetësim këtë precipitim në shkallë të gjerë. Kështu, sipas DASH, kanabisi shqiptar dërgohet në Turqi dhe këmbehet me heroinë dhe kokainë” – tha Alibeaj.