Të paktën 1 000 njerëz janë vrarë në luftimet e gjashtë muajve të fundit në Izium, një qytet në verilindje të Ukrainës. Rimarrja e qytetit paraqet një pengesë të madhe për Moskën, sipas The Guardian.
“Izium vuajti shumë për shkak të agresionit rus,” tha Maksym Strelnikov, një anëtar i këshillit të qytetit, në një konferencë për shtyp.
Ai tha se 80% e infrastrukturës së qytetit, duke përfshirë sistemin e ngrohjes qendrore, ishte shkatërruar.
“Sipas informacioneve që kemi, të paktën 1000 banorë kanë vdekur si pasojë e luftimeve”, tha ai.
Vetëm rreth 10,000 njerëz ndodhen në Izium, rreth një e pesta e popullsisë së qytetit të paraluftës, tha Strelnikov. Izium ishte një nga më shumë se 20 qytetet dhe fshatrat që shtabi i përgjithshëm i Ukrainës tha se forcat e saj i kishin rimarrë gjatë ditëve të fundit, si pjesë e një kundërofensive që i ka detyruar forcat ruse të braktisin pozicionet e tyre dhe të lënë pas rezerva të mëdha municionesh dhe pajisjesh.
Ministria e Mbrojtjes e Britanisë tha se Rusia me siguri kishte urdhëruar forcat e saj të tërhiqeshin nga i gjithë rajoni i Kharkivit në perëndim të lumit Oskil, duke braktisur rrugën kryesore të furnizimit që kishte mbështetur operacionet e Rusisë në lindje.