Ambasadori shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, duket se është drejt përfundimit të parakohshëm të mandatit të tij diplomatik në Shkup. Burime pranë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe burime diplomatike në Maqedoninë e Veriut, bëjnë me dije se lëvizja pritet të formalizohet në ditët në vijim.
Sipas informacioneve jozyrtare, vendimi lidhet me pakënaqësitë e shprehura nga faktorë politikë të koalicionit shqiptar VLEN dhe nga VMRO-DPMNE, të cilët kanë kundërshtuar qëndrimet publike të Meidanit në debatet politike që kanë përfshirë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Një nga çështjet që ka shkaktuar më shumë reagime ka qenë debati për përdorimin e gjuhës shqipe, ku diplomati shqiptar është perceptuar si mbështetës i kërkesave dhe shqetësimeve të studentëve dhe komunitetit shqiptar në vend.
Burime për mediat bëjnë të ditur se Denion Meidani mund të transferohet në një tjetër post diplomatik, këtë herë në Kosovë, ndërsa emri i Petrit Malajt përflitet si kandidat i mundshëm për ambasador në Shkup. Megjithatë, deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga institucionet shqiptare.








