Zv/kryetari i Partisë së Lirisë Agim Nesho në një deklaratë nga selia e PL-së përshëndeti marrëveshjet e nënshkruara një ditë më parë nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor në Berlin.
Ai u shpreh se qeveria duhet të heqë dorë nga procese që nuk na afrojnë me Bashkimin Europian si Ballkani i Hapur, por t’i përkushtohet projektit madhor të Procesit të Berlinit.
Lexo edhe: Samiti i Berlinit, nënshkruhen tri marrëveshje të rëndësishme
“Përshëndesim nënshkrimin e marrëveshjeve të para në kuadër të procesit të Berlinit. Përkrahja për këtë iniciativë nga vendet e BE është mbështetje konkrete me fonde të dedikuara nga vendet e BE si u tregua edhe nga mbështetja që po japin për krizën energjetike. Kemi kërkuar që mos të humbim kohë me projekte të tjera si Ballkani i Hapur pasi nuk afrojnë integrimin europian të Shqipërisë. Është koha që qeveria t’i përkushtohet këtij projekti madhor që realizon aspiratën e popullit shqiptar për t’u bashkuar sa më shpejt me Bashkimin Europian”, tha Nesho.