Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, gjatë vizitës së tij sot në Tiranë, sot është pritur në takim nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, me të cilin ka biseduar për zhvillimet politike në të dy vendet. Haradinaj shprehu falënderimin e tij dhe të popullit të Kosovës, për ndihmën e pakursyer që kanë dhënë institucionet e Shqipërisë në të gjitha periudhat për Kosovën.
“U jemi mirënjohës për kontributin tuaj dhënë Kosovës në të gjitha periudhat e vështira, dhe tani në procesin e integrimeve evropiane si proces i domosdoshëm dhe për të cilën Republika e Kosovës ka nevojë më shumë se kurrë për përkrahjen e gjithanshme”, tha kryeministri Haradinaj. Teksa foli rreth bashkëpunimit bilateral ndërmjet të dy vendeve dhe zbatimit të marrëveshjeve të arritura deri më tani ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, të dy bashkëbiseduesit u pajtuan që të ketë një dinamikë të shtuar në këtë drejtim.
Presidenti Ilir Meta, shprehu gatishmërinë e tij dhe të institucionit që udhëheq për përkrahjen e Kosovës në të gjitha proceset, me theks për rrugën euroatlantike të saj.