Shpresoj që kjo letër t’iu gjejë shëndoshë e mirë.
Ndihem i nderuar dhe mirënjohës për mbështetjen që më keni dhënë, por jam edhe i shqetësuar.
Më vjen mirë që vëmendja për të parë lojën tonë ka ndikuar për uljen e krimeve, se edhe zotërinjtë kriminelë kanë lënë pas dore punët që kanë patur dhe po kalojnë kohën duke na parë ne.
Më kanë thënë se në Tiranë dhe qytetet kryesore të nesërmen e shout nuk ka fare qarkullim këmbësorësh dhe makinash. Loja jonë ka rikthyer çdo javë “ditët pa makina”.
Por duke ju falenderuar nxehtësisht më duhet t’ju kujtoj se jeta ka edhe halle të tjera, si shkolla, shëndeti, puna, marrëdhëniet familjare dhe shoqërore.
Jeta nuk është televizion.
Me këtë rast kam edhe një lutje për dhjetëra televizionet që janë në Shqipëri. Ju lutem, ju përgjërohem bëni programe të mira që njerëzit të kenë se çfarë të shohin, ndryshe sytë e të gjithëve do të jenë vetëm tek ne.
Falenderoj qeverinë që gjatë këtyre javëve ka shpërthyer skandale pas skandalesh me synimin për t’i detyruar njerëzit të merren edhe me çështje të tjera. Por mesa duket aferat nuk paskan qenë aq të mëdha. Edhe rasti Mcgonigal nuk ka tundur shqiptarët nga interesi për mua dhe për lojën që po bëj.
Do të isha i lumtur nëse ashtu siç dolët në rrugë dhe sheshe dhe protestuat për mua, të protestoni edhe për hallet e problemet që keni.
Nuk më erdhi hiç mirë kur mësova se më shumë jeni shqetësuar për mua sesa për termetin në Turqi!
Njerezit gjithmonë janë gabuar në rini dhe në kohën e lirë! Ju kujtoj se kohën që mendoni se e keni me bollëk, mund ta kaloni edhe duke lexuar ndonjë libër, duke parë ndonjë film apo teatër, duke bërë shëtitje, duke ndenjur me njëri-tjetrin apo me veten, duke luajtur, duke parë një ndeshje futbolli…
Ju nuk e kuptoni sa mirë unë ndihem kur më thonë se më shihni duke ngrënë, duke biseduar, duke gatuar, duke kënduar, madje më shihni edhe duke fjetur. Ndërsa unë e kam mendjen te shpopullimi i Shqipërise, te zgjedhjet që po vijnë, te çmimet e larta, te problemet e korrupsionit, terrorizmit, ngrohjes globale dhe padyshim edhe te lufta në Ukrainë!
Nuk urojnë kot: mos na lëntë Zoti pa halle dhe qenka e vërtetë se halli, hallit nuk i ngjan!