Kur vetëdorëzohej Aldo Bare dhe kur prangoset Balili!

0
1134

Nga Elton Laska

Klemend Balili i vetëm gjunjëzoi Shtetin shqiptar, falë paaftësisë së drejtuesve të qeverisë dhe policisë, të cilët këto ditë u dhanë mesazh shqiptarëve se janë vasalë të krimit të organizuar.

Sot, çdo shqiptar që vesh uniformën e Policisë së Shtetit, ndihet i turpëruar, kur shikon se si Drejtori i Policisë së Shtetit, shkon në vendlindjen e tij me makinën private dhe i shërben si taksist Klemend Balilit, se si Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, vetëdorëzimin e quan arrestim para mediave.
Lleshaj dhe Veliu nuk patën guxim që as për sy e faqe të shkonin e ta merrnin Balilin tek shtëpia, madje ishin të gatshëm t’i dërgonin edhe ca valltarë e këngëtarë, që ta përcillnin nga shtëpia deri afër Finiqit, ku e priste “taksisti” Ardi Veliu.

Klemend Balili, një peshk i madh në media dhe gjuhën politike, por realisht një peshk i vogël në botën e vërtetë të krimit shqiptar, falë zotësisë së tij, arriti t’i çirrte fasadën kësaj qeverie të bërë pale me krimin.
Sot dua të bëj një paralelizëm. Kur në kohën e qeverisë Berisha, u arrestua Aldo Bare, që në ato kohë ishte një kapobandë që tmerronte jugun, ndërsa Balili sot nuk ka as pushtetin që kishte llogaritari i Aldo Bares, në atë kohë.

Aldo Bare u arrestua ne Turqi pas një operacioni të organizuar dhe u soll në Shqipëri e u dërgua në qeli në pranga. Mjafton të shikoni këtë foto, për të kuptuar se si djemtë dhe vajzat e policisë së shtetit, çojnë në pranga drejt qelisë një kriminel të kalibrit ndërkombëtar.
Ishte kohë kur shteti u tregonte qytetarëve se askush nuk është i paprekshëm dhe se policia e shtetit nuk është e bandave, por qytetarëve dhe jo si sot, kur qytetarët kërkojnë kriminelët e policët i strehojnë.
Kujtoni arrestimin e eksponentëve të tjerë të krimit në ato vite dhe kujtoni vetëdorëzimin e Balilit, për të kuptuar se si qeveria jonë është katandisur në një bankë, ku mbledh paratë e shqiptarëve dhe i shpërndan për oligarkët.
Ishte postimi në facebook i kryeministrit Sali Berisha, që prishi regjinë e qeverisë Rama, pasi me siguri Kryeministri do ta shiste arrestimin e Balilit si arrestimin e shekullit.

Balili, një gangster i vogël, që nuk i kalon kufijtë e Sarandës, u vetëdorëzua, pasi i’u dha garanci se pasuritë e tij nuk preken dhe dosja greke, nuk ka asnjë rrezik për të dhe se dëshmitë kundër tij janë tërhequr. Bizneset e familjes Balili vijojnë aktivitetin, pa u shqetësuar nga askush.
Klemend Balili është një ushtar, krahasuar me banda, që operojnë në Fier, Vlorë, Elbasan Durrës e Shkodër, apo me individë të rrezikshëm nga Mirdita, Lezha, Kurbini, Tropoja, Kukësi Dibra e Mati, që drejtojnë trafikun ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latinë në Evropë dhe që në Shqipëri, kanë investuar në biznese fitimprurëse, ku ortakë janë politikanë.

Imagjinoni, këta banda e individë, sot janë njerëzit që drejtojnë qeverinë, diktojnë ministra, deputetë, kryetarë bashkish, ata vendosin ku do shkojnë investimet e fondet e qeverisë.

Zgjedhjet lokale po vijnë e këta kriminelë, së bashku me disa pashallarë provincash, i kanë gjetur Yesmenët, për t’i kandiduar dhe për t’i nënshtruar.
Sot, shqiptarët, janë më të bindur se kurrë, se qeverisë së krimit, i ka ardhur fundi, ndaj opozita ka detyrën fisnike t’i kanalizojë energjitë e shqiptarëve, kundër kësaj narkoqeverie, që po mban peng të ardhmen e 2.5 milionë banorëve, për të siguruar të ardhmen për breza me radhë, për 2500 familjeje politikanësh e mafiozësh.

Lër një përgjigje

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutem vendosni emrin këtu

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.