Ky në foto e mësipërme është Kukësi që u ndërtua menjëherë sapo skuadra u ngjit në Kategorinë e Parë, atëherë me logjikën e Sulejman Starovës në rolin e drejtorit, ndërsa stoli iu besua një të riu të talentua, Armando Cungut. Pas një sezoni të jashtëzakonshëm, ekipi nga verilindja thyen rekorde që në pjesmarrjen e parë në Europa League. Më pas kujtuan se kushdo mund të ndërtonte një skuadër futbolli dhe profesorët që mbinë nga të gjitha anët e larguan Starovën me motivacionin që tashmë është i kaluar në moshë, morrën një menaxher brazilian, i cili u emërua trajner dhe Kukësi u bë i gjithi “karioka”, duke e humbur menjëherë fizionominë që e bëri fitues npër punë muajsh. Kështu, Europa që presidenti Gjici e ka merak nuk ishte më një “déjà vu”. Ndërsa këtë sezon fantazia e atyre që drejtojnë i kaloi edhe limitet. U morën në formë huazimi vetëm për ndeshjet ndaj Autrisë së Vienës tre futbollistë nga Skënderbeu, pikërisht Sabien Lilaj, Liridon Latifi dhe Masado Fukui, të cilët thuhet se u paguan nga 10 mijë euro secili. Që pa mbëritur ende nga Korça, lojtarët e importuar fituan vendin e titullarit, duke lënë jashtë futbollistë nga më të rëndësishëm të sezonit që u mbyll, siç ishin Emini dhe Gvornekoviç. Ishin ata që mbajtën peshën e atij viti që solli për herë të parë në Kukës trofeun e kupës së Shqipërisë. Një trajtim me mosmirënjohje që pati kosto. Tani nuk dihet nëse do të qëndrojnë dhe si do t’i bëjnë të besojnë që janë sërish titullarë, kjo jo vetëm duke i liruar në fushë vendet e okupuara me pa të drejtë. Ndërsa përforcimet nga Korça erdhën dhe u larguan si të huaj, pa lënë asnjë gjurmë, ndërsa Kukësi u shkatërrua 1-4 në “Elbasan Arena”, si asnjëherë që nga dita e deburimit në Europë. Dhe në fund largohet edhe Hasan Lika i thirrur për të qenë drejtor teknik dhe që zbriti në pankinë, pasi përpara tij u largua Klodian Duro. Ndërsa në ditët që do të vijojnë është interesante të shohim se çfarë do të bëjë trajneri i ri Ernest Gjoka, I cili u bë aq entuziast që në ditën e emërimit, sa që iu duk vetja sikur kishte hipur në një Ferrari.