Java e 21-të e Superiores konfirmon edhe njëherë se lufta për titullin kampion do të jetë një garës mes Tiranës dhe Laçit. Këta të fundit ishin të impenjuar në një ndeshje shumë të fortë ndaj Kukësit në shtëpi dhe ky takim kishte “thithur” interesim tepër të madh të tifozëve kurbinas të cilët nuk u zhgënjyen aspak. Skuadra e Mirel Josës bëri më të mirën duke mposhtur sërish Kukësin me rezultatin e pastër 3-0 çka konfirmon edhe njëherë se Laçi është macja e zezë për skuadrën verilindore.
Gjithçka u vendos në pjesën e parë ku Malota si ish i verilindorëve i ndëshkon që në minutën e 7’ teksa me një aksion model në 41’ Adeleke shënon edhe golin e dytë të ndeshjes. Pjesa e dytë ishte një lojë nervash por Laçi u mbrojt mirë ndërsa në shtesë Zylfiu vulosi suksesin me një tjetër gol. Kjo ishte dhe fitorja e pestë radhazi në kampionat.
Ndërkohë në Kamzë, Kastrioti shkaktoi surprizën më të madhe teksa ndali kryesuesit e Tiranës me një fitore heroike duhet thënë e ndoshta një mësim ky për bardheblutë që ndoshta e kishin nënvlerësuar. Në 14’ vendasit shënojnë pas një rrëmuje në zone me Kaina Nunes duke shokuar disi miqtë që menjëherë nisen në sulm por pa e gjetur portën. Edhe pjesa e dytë nis nën shenjën e Tiranës që është përpara teksa nervozizmi në fushë nuk mungon nga të dyja kampet.
Tirana i afrohet shumë golit me Seferin dhe De Silvan por janë në fakt krutanët që surprizojnë sërish në minutën e 82’ dhe sërish ishte Kaina Nunes. Tirana kujtohet vonë teksa në 89’ në një goditje dënimi shkurtojnë diferencën me Nikqin por koha më nuk mjafton. Një humbje e rëndë kjo për Tiranën që lëshon terren dhe tanimë Laçi është vetëm 3 pikë larg nga vendi i parë i bardhebluve.