Nga Çapajev Gjokutaj
Me autoritetet e huaja jemi të përulur dhe gjithë komplekse. Me autoritet vendase tregohemi agresivë dhe mohues. Përse për të njëjtën kategori, d.m.th. autoritetet kemi dy standarte kaq të kundërta dhe si të prera me thikë?
1.
Në verën e vitit 1998 m’u desh te shoqëroja në Tropojë dhe Kukës dy diplomatë amerikanë, ish ambasadorë të dalë në pension. Sa kish filluar vala e refugjatëve kosovarë, që pas një viti do të merrte trajtat e një eksodi biblik. Ambasadorët po peshonin mundësitë e një projekti për pritjen e të ardhurve.
Gjatë një takimi në Bajram Curri u kërkuan të pranishmëve t’u rekomandonin 2-3 emra njerëzish me autoritet, që të pranoheshin e respektoheshin nga shumica e krahinës. Në heshtjen që pasoi u hodha një vështrim të shpejtë të pranishmëve. Në çipat e buzëve dukej thuajse e njëjta nënqeshje, një përzierje ironie me një tis të largët turpi.
“Për shembull ndonjë nga komandantët e Luftës së Dytë Botërore, ose ndonjë intelektual të shquar me origjinë prej këndej”, shpjegoi njëri nga ambasadorët për të nxitur bashkëbisedimin.
Një ish-ushtarak nisi të fliste për spastrimet periodike në krerët e ushtrisë, si dhe në lidershipin e kastës politike gjatë diktaturës. Ambasadori që kish shërbyer gjatë në Pakistan, Afganistan dhe vende të tjera aziatike me –stan ndërhyri dhe tha se mungesa e figurave publike, të pranuar nga shumica është dukuri e shoqërive tribale.
Vetëtimthi më erdhi në kokë një thënie që atë çast e mendova si të Kadaresë: “Shqipëria ha bijtë si Saturni.” Pastaj vetiu më shkoi mendja tek fushtatat antiKadare që nisnin çdo vjeshtë në prag të dhënies së çmimit Nobel.
2.
E kam vrarë mendjen shpesh pse na mungojnë figura publike që të jenë gjallë dhe të pranohen nga shumica si njerëz me autoritet, fjala dhe vepra e të cilëve të gjenerojnë besim dhe bashkim, ose thënë ndryshe kohezion social.
Është vështirë të bëhesh profet në fshatin tënd. Sipas Shën Markut, kështu mediton Krishti në një çast lodhjeje nga skepticizmi dhe mosbesimi i atyre që e rrethojnë. Jezusi që, sipas Ungjillit më pas u njoh si bir i Zotit dhe shpëtimtar i njerëzimit, vepronte asokohe në një territor të ngushtë, njerëzit e njihnin si birin e Jozefit dhe Marisë, ndaj e kishin vështirë të mendonin se fqinjët e rëndomtë kishin rritur vetë Mesinë.
Skepticizmi i vendit të vogël, i hapësirave të ngushta, ku gjithsecili njeh gjithsecilin me libër shtëpie e me inventar katandie, mund të jetë njeri nga shkaqet pse jemi të prirur të mos i pranojmë figurat publike apo, akoma më keq t’i përbaltim e t’i zhbëjmë.
Zullumit të vendit të vogël i shtohet edhe varfëria. Nuk mjafton që hapësirën gjeografike e kemi të ngushtë, po kaq të ngushtë dhe asfiksuese e kemi patur dhe e kemi edhe hapësirën ekonomike. Në rrethana të tilla, kur të mirat materiale e shpirtërore janë me pakicë dhe s’mjaftojnë për të gjithë, shpërndarja e tyre bëhet jo mbi bazën e meritës, por mbi bazë lidhjesh familjare, fisi, klani etj. Nuk ka aq rëndësi kush është i zoti, por i biri i kujt je, në cilin klan bën pjesë etj..
Me gjasë vepron edhe një faktor tjetër: për një fatalitet historik elitat tona jo rrallë nuk kanë arritur të bëjnë elitën, t’u përgjigjen kërkesave më të mprehta të kohës, të jenë në lartësinë intelektuale dhe morale që duhet t’i karakterizojë.
Marrim p.sh. elitat politike. Gjatë Luftës së Dytë Botërore shumica e rinisë nuk ndoqi elitën tradicionale, por u lidh me komunistët, që përgjithësisht nuk ishin sojlinj. Një nga arsyet, thonë disa historianë, ishte dhe zbehja e reputacionit të elitës çifligaro-borgjeze, zbehje që kish ndodhur në dekada varfërie e mungese reformash demokratizuese. Sa për shembull kujtojmë stërshtyrjen e reformës agrare.
Elita politike komuniste aq popullore në fillim përfundoi në vitet 1970-1980 me disa figura groteske, jashtë kohe e jashtë vendi, larg nivelit arsimor e kulturor të elitës intelektuale. Në këto kushte, Shqipëria do ta niste tranzicionin postkomunist me politikanë rishtarë. Vërtet shumë prej tyre ishin intelektualë dhe specialistë të zotë në fushat e tyre, por në politikë e filluan nga zeroja.
Tingëllon si një ironi historike fakti që sot, pas çerek shekulli tranzicion, elita politike nuk është në lartësinë e rishtarëve të fillmviteve ’90. Përmendet shpesh fakti që në Kuvendin e parë postkomunist i vetmi deputet pa arsim të lartë ishte Sabri Godo, njeri tejet i zgjuar, shkrimtar i shquar dhe njohës i mirë i disa figurave të rëndësishme historike. Parlamenti i sotëm është mbushur me anonimë të pashkolluar ose të pajisur me diploma nga kioskat universitare që u hapën falë “largpamësisë” së politikës. Nuk po flasim këtu për reputacionin moral të parlamentarëve dhe shtetarëve tanë. Sikur të mos mjaftonte damka e të korruptuarit tani mbi ballin e elitës sonë politike është shtuar edhe damka e kriminelit.
Thënë shkurt elitat tona politike për gati një shekull nuk kanë përparuar, por kanë bërë pas si të ishin karavidhe.
3.
Një varg aksidentesh historike kanë bërë që edhe sot e kësaj dite të mos kemi një sistem meritokracie me efikasitet të plotë. Lidhjet e gjakut, të klanit, të përkatësisë krahinore apo politike vazhdojnë të zbehin lidhjet e interesit, vlerësimin sipas aftësive dhe kontributeve.
Sot e kësaj dite tregohet një anekdotë që thotë se Pashai i Janinës dërgoi si dhuratë një kalë dorí në një fshat të jugut, me porosinë që t’i jepej të parit të katundit. Pas dy-tre javë diskutimesh, që përditë e më shumë po merrnin trajtat e grindjes, fshati e ktheu dorínë tek i zoti me mesazhin: “Pasha i madh, jemi gati të bëjmë angari e t’i dërgojmë djemtë e armatosur sa herë që të të duhen, por mos na kërko që të caktojmë të parë.”
Shqipërisë iu desh të hyjë në kohët moderne pa e njohur zhvillimin industrial. Ky lloj zhvillimi jo vetëm që revolucionarizon prodhimin ekonomik, por edhe transformon thellë marrëdhëniet sociale. Krijon bashkësi të mëdha njerëzish që nuk i lidh gjaku apo përkatësia fisnore e klanore, por interesi, konkurenca dhe meritokracia. Kalimi nga lidhjet e gjakut tek lidhjet e interesit është kufiri që ndan tradicionalen nga modernia.
Edhe gjatë diktaturës, kur erdhi dita që Shqipëria të kishte industri dhe institucione të mëdha kulturore e arsimore, lidhjet mes bashkësive që punonin në to nuk u përcaktuan tërësisht nga interesi, konkurenca dhe meritokracia. Politizimi ekstrem bënte që në plan të parë të dilnte përkatësia politike. Kësaj i shtoheshin mbeturinat e përkatësive krahinore e klanore dhe të gjitha bashkë krijonin një mjedis mbytës për konkurencën dhe meritokracinë.
Afërsisht e njëjta gjë vazhdon dhe sot e kësaj dite. Vërtet kemi hyrë në kapitalizëm, por një pjesë e mirë e sipërmarrjes e ka më lehtë të përfitojë nga lidhjet e shkurtra me politikën sesa të rropatet nën trysninë e konkurrencës dhe të ndërtojë mekanizmat e meritokracisë.
Vetëkuptohet se mungesa apo zbehja e mekanizmave që i vlerësojnë dhe i përzgjedhin njerëzit sipas aftësive ndikon për keq në krijimin e personaliteteteve që njihen nga shumica dhe pranohen si autoritete që u peshon fjala.
4.
Sikur të mos mjaftonin gjithë këto pengesa me rrënjë në të shkuarën dhe degë e gjeth’ në të sotmen, vjen e shtohet edhe një tjetër faktor pengues, tërësisht modern.
Është fjala për mediat dhe modën e njerëzve të shquar, celebrity-ve, që ato po kultivojnë. Jo vetëm në Shqipëri por edhe në botë, pjesa më e madhe e ikonave të famshme që ofrojnë mediat vijnë nga sporti, argëtimi e politika. Një pjesë e mirë e këtyre janë të famshëm, jo për vlera dhe kontribute, por thjesht sepse të tillë përvijohen nga mediat.
Lek Plepi u bë personazh popullor kohë më parë, megjithëse nuk para ia thoshte si këngëtar. Në rrjetet sociale është klonuar një personazh i quajtur Nard Ndoka, që ka marrë nga deputeti i nderuar vetëm emrin dhe portretin e jashtëm, kurse përmbajtjen e merr nga Nastradini, Sanço Pança, Shvejku etj.
Siç e përmendëm, moda e njerëzve që bëhen të famshëm vetëm e vetëm se duhen njerëz të famshëm është dukuri botërore. Po ndër ne ka një specifikë: personazhe të tillë i gjen me shumicë jo vetëm në mediat rozë, por edhe në ato më seriozet. Si në shumë fusha të jetës akoma nuk kemi arritur të vemë kufij mes bodrumit të shoqërisë dhe kateve të banuara, përziehen e bashkëjetojnë në mediat tona edhe njerëz edhe minj.
Popullariteti mediatik nuk para pyet për vlerat, i rëndësishëm është sensacioni, klikimet, audienca. Muaj më parë, pothuajse njëkohësisht, mediat tona botuan njoftime për dy të rinj me origjinë shqiptare, Martin Shkreli dhe Laura Mersini. Shkrimet për të parin janë ku e ku më tepër se për të dytën.
Martin Shkreli pasi bleu monopolin e një ilaçi jetik kundër SIDA-s dhe kancerit, i vuri një çmim 60 herë më të lartë dhe fitoi kështu urrejtje masive jo vetëm në ShBA. Kozmologia Laura Mersini u përmend për prova të reja dhe më peshë në favor të teorisë “multivers” që supozon se universi ku gjallojmë nuk është i vetëm.
Shkreli është emigrant i brezit të dytë, me baba shqiptar dhe nënë kroate. Mersini është shkolluar në Universitetin e Tiranës dhe vetëm në 1994 ka ikur jashtë për të vazhduar studimet.
Vështirë që logjika njerëzore të shpjegojë pse mediat tona i kushtuan shumë më tepër vemendje Shkrelit sesa Mersinit.
5.
Arsyet pse na mungojnë figurat publike, që të rrezatojnë vlerat tona më të mira dhe t’u dëgjohet fjala, mund të jenë këto që renditëm më lart, mund të jenë edhe të tjera. Por një gjë mbetet e sigurt: mungesa e figurave të besueshme dhe me autoritet ndikon thekshëm keq në forcimin e fibrës sociale që lidh e bën një shoqëri, në krijimin e kohezionit social.
Kur i shton kësaj mungese edhe atë të institucioneve të pavaruara që krijojnë besim e pranohen nga shumica, nis e bëhesh pesimist. Ngrehina jonë sociale të ngjan jo me një mur solid e të qëndrueshëm, por me një ledh të ndërtuar gur mbi gur në të thatë, pa llaç, kseroledh siç thoshin të parët.
Ngrehina të tilla çahen e rrëzohen në tronditjen më të parë. 1997-a nuk është dhe aq larg.