Mynyr Koni e Dhori Kule pranojnë kërcënimin por nuk identifikojnë kërcënuesin
Në Gjykatën e Krimeve të Rënda do të zhvillohet sot seanca gjyqsore për masën e sigurisë ndaj Emiljano Shullazit. Arrestimi i Shullazit u bë me urdhër të Prokurorisë ndërsa po hetohet për kërcënimet e dy bisnesmenëve dhe gjobëvënie ndaj tyre. Shullazi akuzohet për “Shtrëngimi me anë të kanosjes “, “Shkatërrim të pronës me eksploziv”, “Grup i strukturuar kriminal”, por edhe për kërcënim ndaj kandidatit për rektor të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni.
Ky i fundit ka dëshmuar në polici dhe ka pranuar që është kërcënuar për kandidaturën e tij si Rektor i UT, por nuk ka mundur të identifikojë autorin. Ai është shprehur se një person i është afruar me një makinë teksa po ecte në sheshin “Nënë Tereza” dhe i ka kërkuar të heq dorë nga gara, në të kundërt do t’i merrej djali peng. Por Koni ka deklaruar gjithashtu se nuk ka mundur të identifikojë kërcënuesin. Kërcënimin ndaj Konit e ka konfirmuar edhe Dhori Kule, rektori aktual I Universitetit të Tiranës.