Nga
Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, ka deklaruar se Greqia i ka mbyllur gjithë çështjet hapura me Shqipërinë, dhe ka shprehur shpresën që së shpejti të kurorëzohet marrëveshja përfundimtare.
Në një intervistë të gjatë për televizionin grek Alpha TV, që u transmetua vonë mbrëmjen e të enjtes, zoti Kotzias tha ndër të tjera:
“Duhet t’ju them se kishim probleme të hapura me dy nga tre fqinjët tanë veriorë, me Shkupin dhe me Shqipërinë. Para një muaji e mbyllëm me Shqipërinë gjithë paketën e çështjeve të hapura që prej 70 vitesh. Dhe besoj se kjo është një gjë e mirë. Vendi nuk duhet të ketë probleme të hapura.”
Shefi i diplomacisë greke ka vënë në dukje mendimin e tij se Tirana dhe Shkupi “po tregojnë më shumë mençuri” sa u përket problemeve me fqinjët.
“Me palën shqiptare bisedimet tona dhe negociatat mbajtën dy vjet e gjysëm. Rrjedhimisht janë pjekur kushtet dhe ishte e natyrshme që që një moment të mbërrinim në një përfundim të mirë të tyre dhe shpresoj që të arrijmë aty”, tha Kotzias.
Ministri i Jashtëm grek nuk ka dhënë detaje mbi marrëveshjen e mundshme me palën shqiptare.
Por, burime që kanë njohuri mbi përmbajtjen e negociatave thanë për Ora News se çështjet kyçe për Athinën janë tre:
– finalizimi i marrëveshjes për zonat detare,
– rishikimi i teksteve shkollore dhe heqja e pjesëve që Athina konsideron se përmbajnë refermime irredentiste
– gjendja e minoritetit grek në Shqipëri, me theks në të drejtën e pronës.
Të njëjtat burime thanë për Ora News se të dy palët shpresojnë që brenda muajit prill të kenë përfunduar me sukses negociatat që po zhvillohen në mënyrë sekrete nga dy ministrat e jashtëm. Dhe “finalja të vuloset” me nënshkrimin e një marrëveshjeje dhe vizitën e kryeministrit grek, Aleksis Tsipras në Tiranë.