Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka bërë me dije se ka aprovuar kërkesën e kryeministres serbe për të zhvilluar një vizitë në Prishtinë në datën 5 shtator. “Dhënia e lejes për vizitë bazohet në marrëveshjen lidhur me vizitat e ndërsjellta të përfaqësuesve politikë mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Sipas njoftimit që e ka bërë Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Bërnabiq do të realizojë një vizitë një ditore në komunat veriore të Kosovës, përkatësisht në Mitrovicën e Veriut, Zveçan dhe Leposaviq. Sipas këtij njoftimi, në vizitë do të jetë edhe Petar Petkoviq, drejtor i kësaj zyreje.
“Kryeministrja do vizitojë qendrën e parë multimediale në veri të Kosovës… Pas kësaj ajo do të bëjë një vizitë te Manastiri i Banjskës në Komunën e Zveçanit”, thuhet në njoftim. Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë tha se vizita e Bërnabiqit ishte lajmëruar të enjten, 72 orë para vizitës “sipas marrëveshjes për vizita zyrtare”. /REL