Këshilli i Europës e konfirmon: më 26 maj, do të zhvillohet konferenca ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian në Bruksel. Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, shkruhet se në takim do të konfirmohet përmbushja e standardeve të ndërmjetme nga Shqipëria dhe do të vendosen standardet përmbyllëse për Grupin e Parë të negociatave, të njohur si “Themeloret”, që përfshin gjyqësorin dhe të drejtat themelore, drejtësinë, lirinë dhe sigurinë si dhe prokurimet publike, statistikat dhe kontrollin financiar.
Në standardet përmbyllëse që pritet të vendosen, sipas njoftimit të Këshillit të BE-së, bëjnë pjesë funksionimi i institucioneve demokratike, reforma në administratën publike dhe kriteret ekonomike.
Në Bruksel për konferencën e tetë ndërqeveritare do të udhëtojë edhe kryeministri Rama me një përfaqësi të kabinetit qeveritar.
“Takimi i tetë i Konferencës së Anëtarësimit me Shqipërinë do të mbahet më 26 maj 2026 në Bruksel. Takimi do të shërbejë për të konfirmuar përmbushjen e standardeve të ndërmjetme nga Shqipëria dhe për të vendosur standardet përmbyllëse për Grupin 1 ‘Bazat’, duke përfshirë funksionimin e institucioneve demokratike dhe reformën e administratës publike (Kapitulli 23 – gjyqësori dhe të drejtat themelore, dhe 24 – drejtësia, liria dhe siguria), dhe kriteret ekonomike (Kapitulli 5 – prokurimi publik, 18 – statistikat dhe 32 – kontrolli financiar)”, thuhet në njoftimin e Këshillit të BE-së.
Grupi i punës për Zgjerimin, COELA i ka dhënë dritën jeshile IBAR-it, raporti i Vlerësimit të Pikave të Ndërmjetme për progresin e deritanishëm të Shqipërisë në procesin e integrimit europian. 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian kanë rënë dakord për një draft të përbashkët.
Vendet anëtare në grupin e punës COELA, arritën të dakordësonin pas gati 3 muajsh një qëndrim të përbashkët për Shqipërinë, dokument që ka pësuar ndryshime të shumta gjatë kësaj periudhe krahasuar me variantin fillestar të propozuar nga Komisioni Europian.
Qëndrimi i miratuar ka një gjuhë më të ashpër, ndërsa theksi vendoset tek rezultatet konkrete për sundimin e ligjit dhe reformat. SPAK dhe presionet politike ndaj tij dalin në plan të parë, ndërsa korrupsioni cilësohet si “shqetësim thelbësor”.
gijotina.com/










