Vetëm për vitin 2015, tatim-taksat, kanë shkaktuar një dëm prej 92 milionë euro, doganat 31 milionë euro ndërsa prokurorimet publike 19 milionë euro
Administrata Publike i ka shkaktuar buxhetit të shtetit 1 miliard euro dëm gjatë viteve 2013-2015. Të dhënat janë bërë publike nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në një përmbledhje të auditimeve për këto vite. Për dy vitet e fundit, sipas KLSH-së, bazuar në auditimet e kryera, rezulton se dëmi më i madh financiar është shkaktuar nga cështja CEZ ku për shkak të marrëveshjes së privatizimit, buxhetit të shtetit i është shkaktuar 479 milionë euro dëm. Në lidhje me këtë çështje Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar ngritjen e një komisioni me ekspertë “ad hoc” për të përllogaritur dëmin pas ngritjes së dyshimeve për këtë shifër.
Ndërsa dëmi për parregullsi dhe shkelje financiare në të ardhurat dhe shpenzimet e kryera, kap shifrën e 919.91 milionë eurove. Probleme janë konstatuar edhe në fushën e shitjes dhe dhënies me qera të pasurive shtetërore ku llogaritet një dëm prej 479 milionë euro.
Sa i përket sektorit të tatim-taksave shkeljet kanë shkaktuar një dëm ekonomik prej 92 milionë euro, ndërsa në sektorin e doganave dëmi arrin në 31 milionë euro. Dëme janë llogaritur gjithashtu edhe në fushën e prokurorimeve publike ne vlerën 19 milionë euro.