Ish kryeministri Sali Berisha u ka dhënë porosi anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PD në mbledhjen e kësaj të shtune, teksa demokratët përgatiten për të zhvilluar primaret në parti për të dalë me kandidatë për zgjedhjet lokale që do zhvillohen vitin tjetër.
Porosia e Berishës ishte që përballë qeverisë së Edi Ramës, ata kanë për detyrë që të vrasin frikën tek qytetarët që ka mbjellë kryeministri, i cili sipas Berishës “arreston 38 mijë qytetarë në një vit”.
“Mbledhje jashtëzakonisht e rëndësishme se ne miratojmë rregullat në përputhje me statutin e PD, për primaret disa prej tyre të njëjta për zgjedhjet e deputetëve. Sot, shënojmë një hap të madh si forcë politike e rithemeluar. Unë kërkoj nga ju që termin Rithemelim të mos e lexojmë në asnjë mënyrë si një meritë e jona. Termin rithemelim duhet ta lexojmë e kuptojmë si një detyrim madhor i çdo demokrati, që ka bërë gjithçka që forca jonë politike t’u paraqitet shqiptarëve mbi parimet e saj të vërteta si një forcë e rithemeluar. Mos harroni se detyra më kryesore e jona është të fitojmë mendjen e zemrat e qytetarëve shqiptarë. Ashtu siç ishim nuk i fitonim, përkundrazi. Pra kërkohet një ndryshim i madh, proces në të cilin ne jemi sot, në mënyrë që të paraqitemi, të tregojmë vitalitetin tonë për tu paraqitur si një forcë vërtet e ndryshuar, Si një forcë politike e cila qëndron totalisht e përkushtuar ndaj lirisë dhe vlerave të saj për qytetarin. Si një forcë politike e cila del me shpejtësi e përfundimisht nga apatia 8-vjecare e saj. Rëndom diskutojmë me njëri tjetrin se ka frikë! Është e vërtetë që ka frikë. E vërtetë se Rama arriti të ngulitë frikën tek punonjësit, qytetarët, por mos harroni kur një regjim arreston 38 mijë qytetarë në një vit, sigurisht që mbjell frikë dhe terror”, tha Berisha.