Lidhur me shqiptarin e shumë kërkuar në Itali për trafik droge, dalin detaje të reja nga policia italiane.
Alket Hatija, 44 vjeç i njohur si një prej bosave më të mëdhenj të trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Italisë, u arrestua katër ditë më parë nga policia e Durrësit.
Ai akuzohet se që nga janari i vitit 2003 deri në mars të 2004 kishte trafikuar në qytetin e Milanos rreth 350 kilogramë heroinë dhe 190 kg kokainë me vlerë rreth 40 milionë euro.
Mediat italiane shkruajnë se Hatija jetonte në një vilë me bunker në zonën e Beratit, ndërkohë që lëvizte gjatë gjithë kohës i shoqëruar nga persona të armatosur.
Hatija, u arrestua mbrëmjen e së premtes me qëllim ekstradimi. Ndaj tij, Gjykata e Apelit në Itali në shtator të vitit 2015 ka dhënë dënimin me 20 vjet burgim.