Nga Klodian Tomorri
Fakt 1
Rruga Kardhiq-Delvinë në një drejtim është rast unikal në botë. Një vepër publike e prokuruar në 7 apo 8 lote, merr shtesë kontratë në masën 20 për qind për çdo lot. Shtesat e kontratës bëhen pa garë me negocim mes qeveritarit dhe kontraktorit privat. Buxheti i jep kompanisë private 20 për qind para shtesë mbi fondin me të cilin ajo ka fituar tenderin.
Fakt 2
Instrumenti i shtesës së kontratës është parashikuar në ligj për raste të veçanta, kur në realizimin e një kontrate prokurimi dalin të papritura. Sa është probabiliteti që në një vepër me 7 tendera, në të 7-të tenderët të dalin të papritura gjatë realizimit të punimeve? Statistika është shkence e pamëshirshme.
Fakt 3
Kontratat më të mëdha të Kardhiq-Delvinë janë prokuruar në verën e vitit 2018. Të gjitha ato kontrata kanë marre shtesë 20 për qind në vitin 2021. Ku hyn opozita dhe Saliu në këtë histori?
Fakt 4
Vetëm si pasojë e shtesave të kontratave kostoja e rrugës Kardhiq-Delvinë është rritur të paktën me 20 milionë euro, pa përfshirë këtu mangësitë në projekt që mund të kishte lënë qeveria paraardhëse.
Fakt 5
Ne vrojtimin global te sipërmarrjeve që u zhvillua në vitin 2019, Banka Botërore dhe BERZH e renditën Shqipërinë si vendin e dytë në botë me nivelin më të larte të ryshfetit. E para ishte Zambia. Sipas raportit bizneset shqiptare janë mesatarisht 3.07 për qind të xhiros për ryshfet. Në vitin 2019 xhiro totale e bizneseve në Shqipëri ishte 18 miliardë euro. Mbi 550 milionë euro u dhanë si ryshfet.
Fakt 6
Sipas vrojtimit, pjesa më e madhe e këtyre 550 milionë eurove që jepen ryshfet është përqendruar në dy drejtime; tenderët publike dhe lejet e ndërtimit. Sa është probabiliteti që Kardhiq-Delvinën të mos e ketë zënë Covidi? Statistika është shkencë e pamëshirshme.
Opinion
Sali Berisha kishte një mani me kontratat publike, veçanërisht ato në rrugë. Atë të prokurimit me kosto sa më të ulët. Përjashtim bën Durrës-Kukës, që është një histori tjetër. Dhe kjo mani kishte një arsye. Në zgjedhjet e vitit 2009 demokratët krijuan bindjen se çelësi për fitoren e zgjedhjeve ishin investimet publike, veçanërisht ndërtimi i sa më shumë rrugëve të reja. Por paratë e buxhetit ishin të kufizuara.
Kur sasia e parave është e kufizuar dhe ti do të ndërtosh sa më shumë rrugë, mënyra e vetme është të ulësh koston për njësi. Por mbajtja e kostos me forcë në nivele të ulëta, krijoi një problem edhe më të madh.
Një pjesë e rrugëve ose mbeteshin të papërfunduara totalisht ose kishin mangësi në cilësi dhe elementet e sigurisë. Në fund mania për t’i prokuruar me kosto të ulet, në disa raste rezultonte edhe më e shtrenjtë për qytetarët. Rruga Elbasan-Tiranë, ajo Kardhiq-Delvinë janë vetëm dy nga shembujt.
Socialistët kanë një mani tjetër me kontratat publike të rrugeve. Për çdo problem që del rrugës, propozimin për zgjidhjen ia lënë në dore kontraktorëve private. Madje ka pasur raste kur kontraktorët kanë bërë dhe projektin si tek Unaza. Kjo është një nga arsyet kryesore se pse kostot e Kardhiq-Delvinë dhe shumë rrugëve të tjera kanë kërcyer në qiell dhe pse sot Shqipëria prokuron rrugë me kosto për kilometer disa here më të larte se sa në të shkuarën.
Por pse nuk e duan disiplinën buxhetore në prokurime këta? Arsyeja nuk është shumë e vështirë për t’u gjetur. Sigurisht nuk e bënë se janë budallenj apo leshko, që po ua hedhin kontraktorët privat. Por e bëjnë për partneritet.
Ky është një biznes ku ndahen para mes kontraktorëve dhe qeveritarëve. Ryshfetet duhet të dalin nga diku. Ndaj kostot fryhen e fryhen, ndërsa qytetarët paguajnë e paguajnë pa bërë zë. Madje në fund edhe kendojnë sa sa bukur e hengrën.