Pikërisht që sot në mbrëmje fillojnë ndeshjet e javës 32 të kategorisë Superiore, me një kalendar që përcakton përplasje që mund të ndikojnë shumë për të gjithë sezonin e pjesmarrësve. Teuta do të presë në “Niko Dovana” Tiranën, një nga skuadrat që është e detyruar ta sfidojë deri në fund në garën për një vend në Europa League. Durrsakët kanë fituar terren, pasi janë 4 pikë në avantazh ndaj bardhebluve dhe veç kësaj po kalojnë një periudhë shumë të mirë. Trajneri Magani ka bërë të pabesueshmen këtë sezon, madje vazhdon ta bëj, duke mbledhur fillimishtë futbollistë jo me emër të madh, por që kanë dëshirë të vrapojnë dhe nuk dorëzohen përpara kujtdo kundërshtari. Ndërsa ekipi i Dajës udhëton pas një tjetër humbje në shtëpi shkaktuar nga Skënderbeu, e katërta në rradhë në përballjet e këtij edicioni.
Po sot, Flamurtari do të presë në Vlorë pikërisht Kukësin që e largoi me dy fitore të pastra (2-0) nga Kupa e Shqipërisë. Një humbje e mundëshme i kthen vlonjatët në kandidatë kryesorë që sezonin e ardhshëm të luajnë në një kategori më inferiore, aq më shumë që javën e parafundit (nëse rivaliteti në tabelën e klasifikimit do të jetë i ngjashëm) do të luajë në Ballsh ndaj Bylisit. Dhe po të vazhdojmë me skenarët e këqinj, edhe Kukësi me një humbje mund të zbresë nga zona UEFA dhe në këtë rast, nëse nuk e fiton dot finale e kupës ndaj Laçit do ta ndërpriste pjesmarrjen në Europë pas dy vitesh, gjë që do të ishte katastrofike për ambicjet e presidentit Gjici. Ndërsa nesër do të vazhdohet me përballje më të lehta, por vetëm në letër, pasi në këtë periudhë të edicionit kushdo mund të të bëj keq, madje me pasoja pothuajse të pariparueshme..
Sot/ Java 32 e Superligës
Teuta – Tirana (19:00)
Flamurtari – Kukësi (19:00)
Nesër
Partizani – Tërbuni (19:00)
Skënderbeu – Bylis (19:00)
Laçi – Vllaznia (16:00)